TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Të shoqërohej pa shumë bujë dhe të shkonte në shtëpi për t’u takuar me familjarët. Këto ishin dy kushtet e Klement Balilit për t’u vetëdorëzuar.
E, në fakt, deri në dalje të Tepelenës, kur ishte në makinën e drejtorit të Policisë, Ardi Veliu, askush nuk e kishte marrë vesh që tashmë “Eskobari i Ballkanit” i ishte dorëzuar drejtësisë. Por, u desh vetëm një status në “Facebook” i ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe lajmi mori dhenë. “Përshëndetje doktor. Vetëdorëzohet Klement Balili në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai është nisur drejt Tiranës me Rigels Balilin”, njoftoi Berisha ndjekësit e tij.
Të gjithë u vunë në lëvizje, sidomos mediat, që prej dy vitesh e kanë pasur kryefjalë faktin që Klement Balili nuk po arrestohej. Shumë nuk e besonin ende, madje edhe vetë njëri prej avokatëve të tij, shprehej se nuk kishte dijeni. Nën zë të gjithë e pohonin, por zyrtarisht nuk pati asnjë reagim, derisa Ministria e Brendshme njoftoi për një dalje publike të ministrit Sandër Lleshaj, në orën 12:00.
Por kishte të paktën 3 orë deri në këtë reagim, që Balili ishte dorëzuar te numri një i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, para një godine të vjetër që ndodhet mes Delvinës dhe Finiqit. Pikërisht në atë vend, Balili zbriti nga automjeti “Mercedez ML”, me të cilën kishte udhëtuar deri në pikën e takimit dhe hipi në makinën “Range Rover” të Ardi Veliut. Nga aty u nisën drejt Tiranës, duke bërë ndalesën e parë në Komisariatin më të ri të kryeqytetit, atë nr.6, që u inaugurua para pak ditësh.
“Peshku i madh”, Klement Balili, është i arrestuari i parë VIP që hyri i shoqëruar në ambientet e rikonstruktuara të Komisariatit në Kombinat. E që aty, pas procedurave standarde, u transportua drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
NEGOCIATAT
Prej afro dy vitesh, Policia e Shtetit kishte realizuar disa operacione për arrestimin e Klement Balilit dhe të gjitha kishin dështuar. Mediat dinë vetëm disa nga këto operacione, si ato që realizoheshin në fshatrat e Delvinës, por edhe në Shkodër. Megjithatë, duket se janë shumë më tepër, madje edhe në Tiranë, të cilat nuk janë bërë publike, për të njëjtën arsye. Sepse kishin dështuar. Por, duket se gjatë 3 muajve të fundit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, i kishte vënë vetes një synim parësor.
Klement Balili duhej arrestuar. Gjatë kësaj kohe, kreu i Policisë së Shtetit kishte hyrë në negociata me tre pjesëtarë të familjes Balili, vëllain e tij të madh, nipin, kryetarin e Bashkisë së Delvinës, Rigels Balilin, dhe një kushëri. Pak ditë më parë, Veliu kishte biseduar gjatë me të tre, duke rënë dakord për kushtet e vetëdorëzimit.
Një veprim të tillë e kishte paralajmëruar vëllai i Klement Balilit, Bashkimi, gjatë një interviste në janar të vitit të kaluar. Kushti i parë i Balilit për vetëdorëzim lidhej me kohën. Do të ndodhte vetëm pasi dosja të vinte nga Greqia. Dhe kështu ndodhi. Më 12 janar, dosja mbërriti dhe në këtë moment bisedimet me Ardi Veliun u intensifikuan, derisa u ra dakord për t’u dorëzuar.
VETEDOREZIMI
Pasi përshëndetet me familjarët te vila e tij në fshatin Stjar të Delvinës, ashtu siç ishte rënë dakord në negociatat me Ardi Veliun, Klement Balili hipën si pasagjer në një automjet tip “Benz ML”. E shoqëronte nipi i tij, që drejtonte makinën. Më pas, të dy drejtohen për te vendi ku ishte lënë takimi me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Bëhej fjalë për një fushë që ndodhet mes Delvinës dhe Finiqit, rreth 3 kilometër larg fshatit Stjar ku jeton familja e tij.
Para një ndërtese të vjetër, që dikur ka qenë pulari, e priste drejtori Ardi Veliu, i cili kishte parkuar aty makinën “Range Rover”. Sapo mbërrin aty, Klement Balili përshëndetet me nipin që e shoqëronte, merr nga bagazhi një çantë me veshmbathje dhe hipën në makinën e Veliut.
Nga aty nisen menjëherë drejt Tiranës, ashtu siç kishin rënë dakord. Pa forca të tjera Policia, pa RENEA, pa FNSH, vetëm me Ardi Veliun./Panorama