AKTUALITET, 16 Janar 2019, 11:06

El Chapo "pagoi ish presidentin meksikan Peña Nieto, 100 milionë dollarë"

El Chapo "pagoi ish presidentin meksikan Peña Nieto, 100
Ish Presidenti i Meksikës, Enrique Peña Nieto, mori një rryshfet prej 100 milionë dollarë, nga drejtuesi i kartelit të Sinaloas, El Chapo, sipas një dëshmitari në gjyqin e këtij të fundit.

Alex Cifuentes, i cili deklaron se ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i El Chapo, u shpreh në gjykatën e New York, se e kishte denoncuar këtë rryshfet tek autoritetet që në vitin 2016.

El Chapo akuzohet se qëndron pas kartelit të Sinaloas, të cilin prokurorët e përshkruajnë si furnizuesin më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me drogë. Presidenti Peña Nieto ka qenë në detyrë prej vitit 2012 deri në vitin 2018. 61 vjeçari El Chapo, është në gjyq në Brooklyn, që prej nëntorit, kur u ekstradua nga Meksika dhe akuzohet për trafik kokaine, heroine dhe drogave të tjera. Sipas raportimeve nga gjykata e Brooklyn, ish presidenti Peña Nieto, kishte kërkuar 250 milionë dollarë nga karteli, por më pas kishte pranuar 100 milionë dollarë. Cifuentes deklaron se dorëzimi i parave u bë në Mexico City, në tetor të vitit 2012 nga një mik i El Chapo. Avokati i El Chapos, ka deklaruar se kreu i kartelit të Sinaloas është në fakt Ismael "El Mayo" Zambada, por se ai nuk është arrestuar pasi ka korruptuar të gjithë qeverinë Meksikane, përfshirë zotin Peña Nieto dhe ish presidentin Felipe Calderòn. Presidenti Peña Nieto dhe presidenti Calderòn, i kanë mohuar këto akuza duke i quajtur "të rreme dhe të papërgjegjshme". Burimi: BBC  /TPZ.AL/