AKTUALITET, 12 Maj 2020, 14:19

EMRI/ I vendosi lëndë plasëse fqinjit në dritare, kush është 60-vjeçari i arrestuar në Tiranë

EMRI/ I vendosi lëndë plasëse fqinjit në dritare, kush


Një 60-vjeçar i identifikuar si Petrit Haxhiu është vënë në pranga pasi akuzohet se i ka vënë tritol dhe ka shpërthyer dritaren e banesës së kushëririt të tij, Blerim Haxhiu.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bastar i Mesëm, në njësinë administrative Zall Bastar, Tiranë.

Mësohet se 60-vjeçari Haxhiu, ka qenë në gjendje të dehur në momentin që e ka kryer aktin, madje një natë më parë, dy kushërinjtë kanë qenë bashkë, duke konsumuar alkool.

Pas disa gotave, kushërinjtë janë konfliktuar dhe 60-vjeçari i ka shkuar në banesë për t’i vënë tritolin. Policia ka sekuestruar 3 kallëpe me lëndë plasëse, një fitil me detonator dhe 20 metra fitil zjarrpërcjellës.

I prangosuri akuzohet për “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen 3 kallëpe me lëndë plasëse, një fitil me detonator dhe 20 metra fitil zjarrpërcjellës.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 4, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bastar i Mesëm, ku ishte vendosur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit B. H., bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, i shtetasit P. H., 60 vjeç, pasi në fshatin Bastar i Mesëm, Njësia Administrative Zall Bastar, dyshohet se ka vendosur një sasi të vogël lënde plasëse në dritaren e banesës e shtetasit B. H., duke i shkaktuar dëme të lehta materiale.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 20 metra fitil zjarrpërcjellës, një detonator dhe 3 kallëpe të dyshuara me lëndë plasëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.