AKTUALITET, 23 Mars 2020, 14:42

Ekspertja kineze ngre alarmin, koronavirusi po importohet nga jashtë dhe mund të shpërthejë sërish në Kinë

Ekspertja kineze ngre alarmin, koronavirusi po importohet nga jashtë dhe

Një nga ekspertet kryesore të Kinës për koronavirusin, ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me një shpërthim të dytë të virusit, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, që vijnë nga vende të tjera. Pra, për herë të parë po bëhet fjalë për importimin e virusit në Kinë, nga vende të tjera.

Profesorja Li Lanjuan, anëtare e ekipit të ekspertëve për Covid-19 në Pekin, tha se ishte "shumë e shqetësuar që rastet e importuara mund të nisin një epidemi të gjerë në vend".

Li lanjuan i bëri këto komente, pas konfirmimit të rastit të parë, ku koronavirusi është importuar në Kinë nga një vend i huaj. Gjithashtu, shqetësimi i saj ngrihet për faktin se epiqendra e sëmundjes, Wuhan, po kthehet gradualisht në normalitet pas izolimit total.

Ekspertja i tha gazetarëve në Wuhan se "Qytete si Pekini, Shangai, Guangzhou, Shenzen dhe Hangzhou, kanë kontakte të shpeshta ndërkombëtare. Jam shumë e shqetësuar se rastet e importuara mund të nisin një epidemi në shkallë të gjerë".

Edhe pse u duk se Kina e kishte nën kontroll virusin, që tashmë qarkullon në mbarë globin, ekziton mundësia që persona të jashtëm ta rikthejnë atë dhe të krijojnë një vatër të re epidemie.

Deri në këto momente, 15,372 persona kanë humbur jetën në mbarë botën, si pasojë e koronavirusit. Vendi më i goditur nga pandemia është Italia, me 5,476 të vdekur. Pavarësisht masave radikale dhe izolimit të vendit, në Itali ende nuk po vihen re një ulje e rasteve dhe fataliteteve.

/TPZ.al/