SPORT, 20 September 2026, 20:39

Egnatia mposht Partizanin në shtëpi, kampionët rikthehen te fitorja

Egnatia ka triumfuar 2-1 ndaj Partizanit në duelin e javës së pestë të Superiores, duke u rikthyer te fitorja pas humbjes së javës së kaluar ndaj Elbasanit.

Kampionët e Shqipërisë e zhbllokuan takimin në minutën e 31-të, kur Loukili dërgoi topin në rrjetë dhe i dha avantazhin skuadrës së Rrogozhinës.

Egnatia vazhdoi të kontrollonte ndeshjen dhe në minutën e 71-të gjeti edhe golin e dytë. Albanese realizoi për 2-0, duke krijuar një avantazh të rëndësishëm për vendasit.

Partizani reagoi menjëherë dhe vetëm dy minuta më vonë Murataj ngushtoi diferencën në 2-1. Të kuqtë tentuan të kërkonin barazimin në minutat e mbetura, por Egnatia arriti ta ruajë avantazhin deri në fund.

Për Partizanin, kjo ishte humbja e dytë radhazi në kampionat, pas disfatës së javës së kaluar, duke e futur skuadrën në një moment të vështirë sa i përket rezultateve.

Të kuqtë do të kenë tashmë në horizont derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, i planifikuar për t’u luajtur më 11 tetor.

REZULTATI:

Egnatia 2-1 Partizani

31′ Loukili, 71′ Albanese / 73′ Murataj