TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dinamo nuk gaboi pasditen e kësaj të shtune në Abissnet Superiore. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja mposhti Laçin me rezultatin 3-1, duke marrë tri pikë të rëndësishme dhe duke mbajtur hapin e Teutës kryesuese.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Dinamo kaloi në avantazh në minutën e 22-të me Lorran, i cili hyri në zonë dhe, pa u menduar gjatë, gjuajti drejt portës së Laçit, duke u treguar i saktë.
Avantazhi 1-0 i skuadrës së Ilir Dajës zgjati vetëm tre minuta. Në minutën e 25-të, Laçi barazoi shifrat në 1-1 me Gamarrën, i cili mposhti portierin Teqja me një gjuajtje nga jashtë zone.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, po Gamarra u bë protagonist për kurbinasit, por këtë herë në aspektin negativ. Futbollisti u ndëshkua me karton të kuq, pasi u konsiderua si lojtari i fundit në një faull ndaj kundërshtarit.
Skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve me rezultatin 1-1.
Në fillimin e pjesës së dytë, Dinamo gjeti sërish rrugën e rrjetës. Vilan mposhti portierin Guri, duke i dhënë avantazhin 2-1 skuadrës kryeqytetase.
Në minutat shtesë, Dinamo shënoi edhe golin e tretë me Flamur Rucin, duke vulosur fitoren 3-1 ndaj Laçit.
Me këtë rezultat, Dinamo shkon në 12 pikë dhe ngjitet në vendin e dytë, vetëm një pikë pas Teutës kryesuese.