SPORT, 20 September 2026, 19:04

De Rossi nuk i jep minuta Mario Mitajt në Serie A, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare asnjë ndeshje me Genoan

Parma ka mposhtur 2-1 Genoan në javën e pestë të Serie A, duke i shkaktuar skuadrës ku aktivizohet Mario Mitaj një tjetër rezultat negativ. Por përtej humbjes së Genoas, vëmendjen e shqiptarëve e tërheq sërish situata e mbrojtësit të Kombëtares.

Mario Mitaj nuk luajti asnjë minutë, duke e mbyllur edhe ndeshjen e pestë të Genoas në kampionat pa debutuar ende në Serie A.

Situata e Mitajt po bëhet gjithnjë e më e veçantë.

Genoa ka zhvilluar tashmë pesë ndeshje në kampionat, ndaj Napolit, Lazios, Comos, Frosinones dhe tashmë Parmës, por mbrojtësi shqiptar nuk ka zbritur në fushë në asnjërën prej tyre.

Në katër takimet e para ai ishte pjesë e grupit të lojtarëve të grumbulluar, por nuk u aktivizua.

Ndërkohë, Mitaj ka pasur minuta vetëm në Kupën e Italisë, ku ka luajtur në dy ndeshje. Fillimisht ai u aktivizua 45 minuta në fitoren 4-1 ndaj Ascolit, ndërsa më 15 shtator luajti 61 minuta në suksesin 1-0 ndaj Sudtirolit.

Pra, që prej transferimit te Genoa, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka luajtur vetëm në Kupë, ndërsa në kampionat vazhdon të presë debutimin.

Mitaj mbërriti te Genoa në huazim nga Al-Ittihad gjatë verës, pas dy sezoneve në Arabinë Saudite ku kishte pasur një rol të rëndësishëm.

Megjithatë, në fillimin e aventurës së tij në Itali, situata ka qenë krejt ndryshe. Mbrojtësi 23-vjeçar ende nuk ka fituar besimin për të luajtur në Serie A, pavarësisht se ka qenë pjesë e skuadrës.

Kjo situatë është veçanërisht e rëndësishme edhe për Kombëtaren shqiptare, ku Mitaj është një prej alternativave kryesore në krahun e majtë të mbrojtjes.

Top Channel