SPORT, 19 September 2026, 15:07

E nisi tek Interi! Surpriza më e madhe në listë, çfarë zbuloi papritur Maran për risinë e Kombëtares

Trajneri Rolando Maran ka surprizuar te Kombëtarja me ftesën e Samuele Sinës. Qendërmbrojtësi që deri vitin e kaluar ishte pjesë e ekipit U-19, ka kaluar menjëherë te Kombëtarja A pa luajtur me ekipin U-21.

19-vjeçari i lindur në Itali është pjesë e Union Breshia, që mban vendin e tretë në Serinë C italiane. Sina ka regjistruar dy gola të rëndësishëm në pesë javët e para të kampionatit, ndërsa është titullar i padiskutueshëm. Sina në fëmijëri ishte pjesë e akademisë së Interit. Trajneri Maran la të kuptohet se në vazhdim mund të jetë opsion për ekipin U-21 ku deri tani nuk është ftuar. Kështu do të ishte pjesë e Europianit U-21 në edicionin e ardhshëm.

Sina është preferuar para Bujar Pllanës dhe Enea Mihajt. Kështu tregohet edhe vlerësimi i Maran në risinë që solli. Po ashtu as Maldini Kacurri nuk është vlerësuar para Sinës. Në konferencë për shtyp u zbulua se mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë. Dhe pse deri tani regjistron paraqitje vetëm në qendër të mbrojtjes.

“Sina është vendosur në evidencë në kohët e fundit, luan në një kampionat të vështirë. Ka qenë protagonist dhe ka shënuar. Në aspektin difensiv mund të kemi mungesa dhe vështirësi. Mbetet për t’u vlerësuar nëse do ketë vazhdimësi me skuadrën tonë apo mund të vazhdojë me U-21. Sina dhe pse është mbrojtës qendre, mund të luajë djathtas. Bazuar dhe në modulin si luajmë, duke marrë parasysh që fokusohemi të krijojmë hapësira dhe të jemi pak më të avancuar në sulm, mendoj se mund të funksionojë”, u shpreh Maran.