AKTUALITET, 6 Janar 2021, 23:15

“E turpshme, Trump të mbajë përgjegjësi”! Si po reagon bota ndaj trazirave në SHBA

“E turpshme, Trump të mbajë përgjegjësi”! Si po

Një numër i madh udhëheqësish nga e gjithë bota, reaguan duke dënuar turmën e dhunshme që sulmoi Kapitolin e SHBA-ve. Ata e cilësuan dhunën të papranueshme, duke kërkuar tranzicion paqësor të pushtetit.

Ja disa prej reagimeve:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg: Skena tronditëse në Washington, D.C. Rezultati i zgjedhjeve demokratike duhet të respektohet.

Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli: Skena thellësisht shqetësuese nga Kapitol i SHBA. Vota demokratike duhet të respektohet. Ne jemi të sigurt që SHBA do të sigurojë që rregullat e demokracisë të mbrohen.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez: Unë po ndjek me shqetësim lajmet që vijnë nga Kapitoli në Uashington. Jam i sigurt në forcën e demokracisë së Amerikës.Presidenca e re e Joe Biden do të kapërcejë fazën e tensionit, duke bashkuar popullin amerikan.

Kryeministrja Norvegjeze Erna Solberg: Skena të pabesueshme nga Washington D.C. Ky është një sulm krejtësisht i papranueshëm ndaj demokracisë. Një përgjegjësi e rëndë tani i mbetet Presidentit Trump për t’i dhënë fund kësaj.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson: Skena të turpshme në Kongresin Amerikan. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë për demokracinë në të gjithë botën dhe tani është thelbësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit.