AKTUALITET, 8 Tetor 2020, 12:20

Dyshohet se ishte pjesëtar i “Ndraghetas”, gjykata vendos ekstradimin e Bujar Sejdinaj në Itali

Dyshohet se ishte pjesëtar i “Ndraghetas”, gjykata vendos


Gjykata ka vendosur që të ekstradojë drejt Italisë Bujar Sejdinajn, shqiptarin e njohur si “xhaxhai” dhe që dyshohet se është pjesëtar i “Ndraghetas”, raporton "News 24", ndërkohë që pritet që ai të apelojë vendimin për dhjetë ditë.

Shpeshherë Antimafia Italiane ka dhënë alarmin për bashkëpunimin e ngushtë që aleanca e Ndragetës ka me krimin shqiptar, në trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis sativa.

Mësohet se 61-vjeçari Bujar Sejdinaj është me origjinë nga fshati Ostren i Vogël i Peshkopisë, por banues në Tiranë.

Ai u arrestua ditën e djeshme nga Policia e Shtetit, si pjesë e një rrjeti të mirorganizuar që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Italisë dhe mandej në vendet e Gadishullit Ballkanik, përfshirë dhe Shqipërinë.

Sipas Policisë shqiptare, Bujar Sejdinaj, i cili ishte “Ambasadori” i “Ndragheta”-s në Ballkan, së bashku me një shtetas tjetër Shqiptar nga Elbasani, i quajtur Ardian Çekini, dyshohet se kanë marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë.

Ndërkohë, ky operacion ka nisur nga autoritetet italiane që nga viti 2007, duke sjellë edhe sekuestrimin e një sasie prej 400 kilogramësh kokainë.

Këtë operacion ata e kanë kryer dhe me persona të tjerë me shtetësi italiane, që besohet se janë pjesë e klanit mafioz “Ndragheta” në Itali.