AKTUALITET, 2 Nëntor 2017, 13:57

Sot kundër paktit detar, dje doli me kolonelen e marrëveshjes

Kryeministri Rama, i krekosur, ka shpërthyer sot në akuza ndaj kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha, lidhur me të kaluarën e këtij të fundit. Duke folur në parlament, Rama riktheu edhe një herë në vëmendje paktin detar me Greqinë, e nënshkruar nga Ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha.

“Je njeriu që ke firmosur për të dhënë një copë territor të Republikës së Shqipërisë dhe kjo është arsye që kemi problem dhe dialog të vështirë më fqinjët. Je njeriu dhe partia që është e provuar, jo nga unë por nga Gjykata Kushtetuese, se keni shkelur kushtet dhe keni cënuar integritetin territorial të vendit.

Kam dëgjuar pa fund akuza antishqiptar dhe antikombëtar." - u shpreh Rama në parlament.

Por kjo deklaratë, fundosi edhe më thellë kryeministrin e vendit, pasi një ditë më parë prezantoi kolonelen Suzana Jahollari. Kolonelja në rezervë ka qenë një nga ushtarakët që i doli në mbrojtje marrëveshjes së detit me Greqinë dhe kjo nuk e ka penguar Ramën ta promovojë në detyrë.

Në një letër të shkruar në shtator të vitit 2009, prefektja e Tiranës i shkruante Myslym Pashajt.

“Nënshkrimi i Projekt-Marrëveshjes dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, lidhur me delimitimin e hapësirave detare mbi të cilat ushtrohet sovranitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, buron nga neni 83 i Konventës së Montego Bay-it të vitit 1982 (UNCLOS), në të cilën të dy shtetet janë palë. Në formulimin e kësaj marrëveshje janë zbatuar rigorozisht parimet themelore së kësaj Konvente.

– Në këtë marrëveshje janë pasqyruar të drejta të tilla si ajo e sovranitetit shtetëror për qëllimet e shfrytëzimit të burimeve natyrore të shelfit kontinental (article 77 UNCLOS), statusi i pasurive nënujore dhe hapësirës ajrore mbi të (article 78 UNCLOS), gjendet i reflektuar dhe një parim tjetër shumë i rëndësishëm, që është e drejta e kalimit paqësor (article 17 UNCLOS), artikulli 15 i UNCLOS, i cili përcakton mënyrën e delimitimit të detit territorial midis dy shteteve që janë ballë për ballë ose fqinjë, si dhe kapitulli VI i saj, ku trajtohet “Shelfi Kontinental”. Kjo Projekt-Marrëveshje është përgatitur nga një grup profesionistësh të fushës juridike, ushtarake dhe politike” shkruante nënkolonele Suzana Jahollari.

/TPZ.AL/