AKTUALITET, 23 Prill 2020, 09:09

“Duam zgjedhje dhe nuk lejojmë vjedhjen e pushtetit”, Vetëvendosje iu bën thirrje qytetarëve: Të dalim në manifestim

“Duam zgjedhje dhe nuk lejojmë vjedhjen e pushtetit”,


Lëvizja Vetëvendosje ka filluar të bëjë thirrje për të mbajtur një manifestim për zgjedhje në sheshin Skënderbe në Prishtinë, pas masave kufizuese më 4 maj.

Simpatizantë të Vetëvendosjes janë duke e bërë thirrjen përmes rrjetit social “Facebook”, ku këtë ngjarje e kanë parashikuar ta mbajnë në ora 14:00.

“Pas përfundimit të ligjit për kufizimin e lëvizjes (për parandalimin e COVID-19) të hënën 4 maj 2020, të dalim të gjithë në manifestim për mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndër tjera në njoftimin e tyre thuhet se duan zgjedhje të reja dhe qeveri legjitime.

"Duam zgjedhje dhe nuk lejojmë vjedhjen e pushtetit. Duam një qeveri legjitime dhe të zgjedhur nga votat e popullit të Kosovës. Mos shpërfillni vullnetin e popullit. U bo boll! Jemi lodhë!”, thuhet ndër tjera në këtë njoftim.

Mirëpo ndërkohë kujtojmë se e gjithë bota është në izolim për shkak të parandalimit të koronavirusit.

Organizata Kombëtare e Shëndetit vazhdimisht është duke bërë thirrje që mos të dilet jashtë shtëpive dhe të mbahet distancë sociale për shkak të mos përhapjes së pandemisë./Express