AKTUALITET, 21 Qershor 2018, 21:55

Dramatike, Kroacia turpëron Argjentinën e Lionel Mesit: 3-0!

Një gol dinak i Ante Rebiçit (53’) – pas gafës absurde të portierit Vili Kabajero  - dhe një gol fantastik i Luka Modriçit (80’), dhe një i tretë nga Ivan Rakitiç (90’), i garantuan Kroacisë një fitore të madhe 3-0 ndaj një Argjentine tejet të varfër me një Lionel Mesi totalisht në hije (asnjë gol në dy ndeshje).

Skuadra ballkanike e drejtuar nga ish-trajneri i Dinamos së Tiranës, Zlatko Daliç, regjistroi fitoren e dytë në po aq ndeshje – përfshirë dhe atë me Nigerinë, 2-0 – duke prerë kështu një biletë për 16 ekipet me të mira, e duke bashkuar kështu me Rusinë, Uruguain dhe Francën.

Një dështim total sot i Argjentinës, që nuk e rrezikoi asnjë herë seriozisht portën kroate të mbrojtur nga Subashiç. Një humbje e hidhur edhe për trajnerin Sampaoli, ndërkohë që kamerat fokusuan gati në lot legjendën argjentinase Diego Armando Maradonën.

Argjentina është në fije të perit me këtë humbje, pasi në rast se Islanda fiton nesër me Nigerinë, në ditën e tretë ndeshet me Kroacinë, dhe një barazim midis tyre, e çon në shtëpi skuadrën e kapitenit Lionel Mesi.

/TPZ.AL/