AKTUALITET, 27 Korrik 2021, 13:09

Dorëheqja e kupolës së PD-së Korçë, Basha: Diversion! Po “SMV”-të? Do të shtrihen kudo

Dorëheqja e kupolës së PD-së Korçë, Basha:

Kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk pranoi sot që të komentonte dorëheqjen e kupolës së degës së Korçës.

“Kësaj radhe diversioni nuk do të funksionojë, pasi nuk kam ndërmend që t’iu jap atyre që duan ta heqin vëmendjen nga kjo ditë e rëndësishme, nga raporti i OSBE dhe konstatimi i asaj që kemi thënë që është dhe duhet të jetë shqetësimi i çdo kujt” tha Basha.

PD nuk do të tërhiqet nga Struktura e Mbrojtjes së Votës, e njohur si “SMV” dhe që u përdor në zgjedhjet e 25 Prillit me argumentin e mbrojtjes së procesit të lirë zgjedhor. Lulzim Basha tha sot se PD do ta shtrijë kudo përderisa prokuroria dhe policia nuk bëjnë detyrën e tyre.

“Paligjshmëria ka të bëjë me blerjen e votës, kërcënimin e qytetarëve, e paligjshme është të shkelësh Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet që u bënë.

Ndërsa mbrojtja e votës nuk është vetëm detyrë e PD-së por e çdo qytetari dhe ky është një aspekt që PD do ta zhvillojë, përmirësojë, shtrijë kudo, forcojë, si një detyrë të lartë patriotike, demokratike, qytetare dhe ligjore.

E kundërta përbën paligjshmëri dhe krim. Të shikosh një krim dhe të mos e parandalosh apo denoncosh është një vepër penale” tha ai.