AKTUALITET, 8 Korrik 2019, 09:47

Ditë e tensionuar/ Parlamenti diskuton sot shkarkimin e Metës

Ditë e tensionuar/ Parlamenti diskuton sot shkarkimin e Metës


Ndërkohë që opozita do të jetë duke bërë përgatitjet e fundit për protestën kombëtare të radhës, kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme, në orën 17:00, në seancë plenare, për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Pasi të dëgjohet raporti që kërkon shkarkimin, deputetët e Ramës dhe opozita fallco do të diskutojnë për plot 1 orë e 30 minuta dhe më pas do të votojnë ose jo për ngritjen e komisionit hetimor.

Nëse kjo sipas të gjitha gjasave do të ndodhë do të hyet në fazën e tretë të një procesi për shkarkimin e presidentit që kushtetuta e parashikon në mënyrë shumë precize. Faza e parë ajo e votimit nga një e katërta e deputetëve për shkarkimin e presidentit tashmë të kryer.

Gjithashtu ka përfunduar edhe e dyta ku komisioni i ligjeve kërkon ngritjen e një komisioni hetimor. Tani ndodhemi në fazën e tretë kur parlamenti miraton raportin dhe vendos me votë për komisionin hetimor. Ai vihet në punë me urgjencë dy ditë pas votimit në kuvend.

Kreu i Shtetit ka të drejtën të dëgjohet dhe të klasë në këtë komision, por ai me sa duket do ta injorojë këtë procedurë ashtu sikurse bëri edhe në me komisionin e ligjeve.

Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Dhe pas kësaj hyjmë në fazën e katërt kur 2/3 e parlamentit që tashmë Rama i kontrollon duhet të votojnë për shkarkimin e presidentit duke mbyllur kështu këtë procedurë të koklavitur parlamentare.

Vetëm pas këtyre katër fazave çështja kalon në të pestën kur Gjykata Kushtetuese që ende nuk ekziston duhet të vendosë nëse mund të shkarkohet apo jo kreu i shtetit.

Gjithsesi interesante do të jetë sot të shikohen diskutimet e parlamentit monist dhe mënyra se si do e justifikojnë rilindasit shkeljen kushtetuese të presidentit, aq më tepër që për ta, Dekretet e Ilir Metës nuk kanë pasur asnjë efekt, sepse sipas tyre votimet e 30 qershorit qenë të ligjshme.