AKTUALITET, 8 Korrik 2019, 09:22

3.3 miliardë lekë të falura, pishat e autostradës Tiranë-Durrës thahen nga vapa

3.3 miliardë lekë të falura, pishat e autostradës


U mbollën me urgjencë në dhjetorin e 2017-ës për të shuar plagën e palmave të thara, por kanë të njëjtin fat. Pishat e buta të mbjella në autostradën Tiranë-Durrës janë tharë në masën mbi 50%.

Për shkak të temperaturave të larta dhe neglizhencës së Bashkisë Tiranë, investimi me vlerë 3.3 miliardë leke ka dështuar.

Një pishë e mbjellë nga Veliaj në autostradë iu kushtoi shqiptarëve 5500 euro, por duket se për herë të dytë radhazi bashkia nuk e ruajti dot këtë investim. Pamjet tregojnë situatën e pishave të cilat i ndajnë vetëm disa javë nga tharja totale.

Por çfarë garantoi Veliaj kur e ndryshoi buxhetin afatmesëm në fund të vitit 2017?

“E pranojmë që palmat nuk ishin një zgjedhje për t’i mbijetuar këtyre temperaturave. Nëse do t’i përfundonim përpara vitit të ri [mbjelljen e pishave] kjo do të ishte një situatë ideale,” tha kryebashkiaku Veliaj në Këshillin Bashkiak më 23 nëntor 2017.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës po e heton Bashkinë për kontratën me negocim që lidhi me “Fusha” sh.p.k; pasi dyshohet se ka shkelur ligjin për “shkelje të barazisë në tendera”.

Kompania Fusha mori 3.3 miliardë lekë për të mbjellë këto pisha të cilat kushtuan 5500 euro secila, ndërkohë që një investigim i BIRN nxori në dritë se kostoja e tyre ishte 700-1000 euro.

Historia ekzotike e palmave të thara

600 mijë euro që u shpenzuan për blerjen e palmave dekorative që u vendosën në autostradë janë tashmë të falura.

Ato u mbollën me hov të madh e u hoqën me turp. Televizioni Publik Shqiptar i kushtoi edhe një elegji tharjes së palmave, duke mos ngurruar ta quajë një dramë kombëtare.

Fatin e tyre “ekzotik” tani do e ndjekin pishat e buta që i zëvendësuan nga mbikalimi i Kamzës te ai i Kasharit. Ndërkohë që fatura është edhe më e kripur në rastin e dytë… me plot 5500 euro për një pishë… të tharë./Dosja.al