AKTUALITET, 25 August 2026, 23:00

Dhunohet Kisha e Shën Thanasit në Sinicë/ Thyhen ikonat dhe dëmtohen objektet e kultit, banorët kërkojnë identifikimin e autorëve

Një akt vandalizmi ka dëmtuar Kishën e Shën Thanasit në Sinicë të Korçës, një objekt i rrallë kulti që ndodhet në majë të malit të Sinicës, rreth 1300 metra mbi nivelin e detit.

Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar ambientet e kishës, duke thyer ikona dhe objekte të tjera të kultit. Në brendësi të saj është hedhur edhe çimento, duke shkaktuar dëmtime të mëtejshme në një objekt me rëndësi historike dhe kulturore për zonën.

Ngjarja është denoncuar nga banorë dhe dashamirës të fshatit, të cilët prej vitesh përpiqen të mirëmbajnë dhe të ruajnë kishën.

Për komunitetin e Sinicës, Kisha e Shën Thanasit nuk përfaqëson vetëm një objekt fetar, por edhe një pjesë të rëndësishme të historisë dhe traditës së fshatit. Ajo konsiderohet vend i shenjtë edhe nga banorë të besimit mysliman, duke reflektuar bashkëjetesën fetare që ka karakterizuar zonën ndër vite.

Banorët kujtojnë se në të kaluarën kisha është mirëmbajtur dhe rindërtuar edhe falë kontributit të përbashkët të komunitetit, pavarësisht përkatësisë fetare.

Për këtë arsye, ata e cilësojnë dëmtimin e saj si një goditje jo vetëm ndaj një objekti kulti, por edhe ndaj trashëgimisë kulturore dhe harmonisë fetare të Sinicës.

Banorët kërkojnë që autoritetet të identifikojnë dhe të ndëshkojnë përgjegjësit, si dhe të merren masa për restaurimin dhe mbrojtjen e kishës.