AKTUALITET, 25 August 2026, 20:28

“Nuk do të vritemi, do të pimë vetëm një kafe”/ Allmuça ekzekutoi Lulietën, zbardhet biseda me vëllain e saj para krimit

Prova të reja dhe dëshmi tronditëse hedhin dritë mbi ditët e fundit para vrasjes së 45-vjeçares Lulieta Obzova në Athinë, duke zbardhur lëvizjet e 50-vjeçarit Altin Allmuça, kërcënimet e vazhdueshme ndaj viktimës dhe fjalët që ai i tha vajzës së tij pak para se të shkonte në banesën e gruas.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës, më 23 gusht, në zonën e Nea Smyrni në Athinë. Lulieta Obzova, me origjinë shqiptare, u qëllua për vdekje me armë zjarri pranë hyrjes së pallatit ku banonte. Pak çaste më vonë, Allmuça dyshohet se përdori të njëjtën armë për t’i dhënë fund jetës.

Sipas raportimeve të para, 50-vjeçari e kishte pritur 45-vjeçaren pranë pallatit. Mes tyre kishte pasur një marrëdhënie, e cila ishte shoqëruar me konflikte dhe ishte përfunduar para ngjarjes tragjike. Dyshimi kryesor i ngritur nga autoritetet dhe mediat ka qenë se xhelozia dhe konfliktet mes tyre mund të kenë luajtur rol në krim. 

Pamjet e kamerave të sigurisë në pallat janë bërë pjesë e hetimeve, ndërsa autoritetet po analizojnë edhe komunikimet telefonike dhe provat e mbledhura për të rindërtuar atë që ka ndodhur para vrasjes. 

Por, dëshmitë e familjarëve kanë nxjerrë në pah se problemet mes çiftit nuk kishin nisur vetëm në momentet e fundit.

Sipas vëllait të viktimës, Allmuça e kishte kërcënuar edhe më herët Lulietën dhe në një rast dyshohet se kishte nxjerrë edhe armë. Vëllai i kishte kërkuar motrës që të kontaktonte një avokat dhe të kërkonte urdhër mbrojtjeje. 

Familjarët kanë treguar gjithashtu se 45-vjeçarja ndihej e frikësuar dhe dyshonte se ish-partneri e ndiqte. Sipas tyre, ai shfaqej edhe pa paralajmërim në jetën e saj.

Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me banesën. Sipas vëllait të viktimës, Allmuça dyshohet se kishte pasur një çelës rezervë dhe mund të hynte në shtëpi kur Lulieta ishte në punë. 45-vjeçarja kishte vënë re se disa sende në banesë nuk ndodheshin më aty ku i kishte lënë. Për këtë arsye, rreth dy javë para vrasjes, ajo vendosi të ndërronte bravat. 

Disa ditë para vrasjes, Allmuça dyshohet se u përpoq të takohej me vëllain e 45-vjeçares, me pretendimin se donte të diskutonte për marrëdhënien me motrën e tij.

Nga biseda rezulton se vëllai i Lulietës refuzoi ta takonte për kafe Altin Allmuçën.

Pjesë nga biseda:

Allmuça: Dua të takohemi për kafe, të flasim.

Vëllai i Lulietës: Për çfarë do të flasim?

Allmuça: Çfarë po ndodh me motrën tënde?

Vëllai: Nuk mendoj se duhet të takohemi të dy.

Allmuça: Në rregull, shoku, nuk do të vrasim njëri-tjetrin. Do të pimë vetëm një kafe.

Vëllai: Le ta lëmë me kaq.

Vajza e 45-vjeçares u ka thënë autoriteteve se ishte në dijeni për marrëdhënien e nënës së saj me 50-vjeçarin dhe se ajo kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes.

Sipas dëshmive të familjarëve, Lulieta kishte shprehur shqetësim të vazhdueshëm për sjelljen e Allmuçës, të cilin e përshkruante si tepër xheloz dhe që i shkaktonte vazhdimisht probleme.

Ndërkohë, dëshmia e vajzës së Allmuçës ka sjellë detaje të reja për momentet para krimit. Sipas saj, babai i kishte thënë se ajo ishte hera e fundit që po e shihte, ndërsa i kishte shprehur edhe ndjenjat e tij, duke i thënë: “Të dua shumë, por më ke lënduar”. 

Më herët, mediat kanë raportuar edhe për të kaluarën e Allmuçës. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat shqiptare, ai ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016, kur dyshohej për përndjekjen e ish-bashkëshortes. Për rastin ishte referuar vepra penale e “Përndjekjes”. 

Tashmë autoritetet greke po analizojnë të gjitha provat, dëshmitë e familjarëve, pamjet e kamerave dhe komunikimet e personave të përfshirë, në përpjekje për të rindërtuar plotësisht ditët dhe orët që i paraprinë tragjedisë në Nea Smyrni.