TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gratë deputete të grupit parlamentar të Partisë Socialiste kanë reaguar sot për sulmet verbale, kërcënimet, fyerjet dhe aktet e agresionit fizik ndaj deputetëve gjatë ushtrimit të detyrës, duke kërkuar reagim nga institucionet përgjegjëse.
Përmes një deklarate, deputetet socialiste theksojnë se ngjarjet e fundit ndaj deputeteve Iris Luarasi dhe Ilva Gjuzi nuk janë incidente të izoluara.
Sipas tyre, këto raste janë pjesë e një klime të përsëritur dhe të zgjatur linçimi publik, intimidimi dhe agresioni, e cila po kalon nga gjuha e urrejtjes te kontakti fizik.
“Sot u ndodh atyre. Nesër mund t’i ndodhë çdo deputeti, gazetari, punonjësi publik apo qytetari që refuzon t’i nënshtrohet presionit të turmës”, theksohet në deklaratën e grave deputete të PS-së.
Deputetet socialiste theksojnë se këto akte nuk po ndodhin vetëm pranë Kuvendit, por edhe në hapësira të tjera publike dhe private.
“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë respektimin e të drejtave themelore që Kushtetuta dhe ligji ia garantojnë çdo qytetari”, thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, e drejta për të protestuar është e patjetërsueshme, ndërsa kritika politike, kundërshtimi dhe zemërimi qytetar janë pjesë e demokracisë.
Megjithatë, deputetet socialiste bëjnë dallimin mes protestës dhe akteve të dhunës.
“Kritika politike, kundërshtimi dhe zemërimi qytetar janë pjesë e demokracisë. Por protesta nuk është licensë për të fyer, kërcënuar, ndjekur apo goditur. Telefoni i ngritur për të filmuar nuk e shndërron agresionin në aktivizëm. Turma nuk e bën dhunën të ligjshme. Refuzojmë çdo përpjekje për relativizim. Nuk ka ‘por’ pas një sulmi. Nuk ka rëndësi nëse agresori është burrë apo grua, nëse mban një pankartë apo një celular, nëse sulmon një deputet të mazhorancës apo të opozitës”, thuhet në deklaratë.
Grupi i grave deputete të PS-së i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të identifikojë personat e përfshirë, të administrojë pamjet filmike dhe të referojë çdo veprim të paligjshëm.
Ndërkohë, organeve të drejtësisë u është kërkuar zhvillimi i një hetimi të shpejtë dhe të paanshëm.
“Dhuna është dhunë dhe duhet trajtuar njësoj nga institucionet. Kur një deputet sulmohet gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj, nuk cenohet vetëm individi. Cenohet funksionimi i lirë i mandatit përfaqësues, siguria e Kuvendit dhe vetë rendi demokratik. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë në Kuvend nën një korridor fyerjesh dhe agresioni, duke pyetur veten nëse goditja e radhës do të jetë vetëm verbale apo edhe fizike”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, deputetet kanë kërkuar rishikimin e protokolleve të sigurisë së Kuvendit për mbrojtjen e deputetëve gjatë hyrjes, daljes dhe ushtrimit të detyrës në Kuvend.
Në deklaratë kërkohet gjithashtu distancim publik nga dhuna nga drejtuesit dhe organizatorët e protestave.
Deputetet socialiste i janë drejtuar edhe shoqërisë civile, organizatave për të drejtat e njeriut dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e grave, duke theksuar se mbrojtja e grave nuk duhet të varet nga bindjet apo përkatësia politike.
Në fund të deklaratës, gratë deputete të PS-së kanë vendosur edhe afate konkrete për institucionet.
“Kërkojmë që brenda 72 orëve Policia e Shtetit dhe strukturat përgjegjëse të informojnë zyrtarisht Kuvendin për masat e marra dhe planin e sigurisë. Brenda 10 ditëve, kërkojmë një raport të plotë mbi identifikimin e përgjegjësve, ecurinë e referimeve dhe masat parandaluese.
Nuk do të pranojmë që heshtja institucionale ta ushqejë pandëshkueshmërinë. Nuk do të lejojmë që dhuna të normalizohet si ‘folklor proteste’ dhe as që poshtërimi publik të shitet si pjesëmarrje qytetare. Demokracia mbrohet me fjalë, argumente dhe votë. Aty ku fillon dhuna, mbaron protesta. Dhe aty duhet të fillojë përgjegjësia”, thuhet në deklaratë.