TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra në Sarandë, pasi një person i arrestuar në ambientet e komisariatit dëmtoi kamerën e sigurisë dhe disa orendi në dhomën e ndalimit.
Ngjarja është bërë e ditur nga Policia e Vlorës, e cila sqaroi se shtetasi D. S. ishte arrestuar në zbatim të një vendimi gjykate për disa vepra penale.
Gjatë qëndrimit në ambientet e dhomave të ndalimit, sipas Policisë, D. S. ka shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive. Në këto rrethana, ai ka dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë.
Pas incidentit, Policia ka njoftuar menjëherë urgjencën e spitalit, ndërsa shtetasi D. S. ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Paralelisht, për ngjarjen është njoftuar edhe Prokuroria dhe janë kryer të gjitha veprimet procedurale përkatëse.
Në kuadër të verifikimit të plotë të rrethanave dhe përgjegjësive eventuale, tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra. Sipas Policisë, ata nuk kanë reaguar në momentin kur i arrestuari ka dëmtuar kamerën dhe orenditë në dhomën e ndalimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka bërë të ditur se vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të marrë masat përkatëse, në përputhje me ligjin.
Në të njëjtën kohë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur edhe procedura disiplinore ndaj tre punonjësve të policisë të pezulluar nga detyra.