AKTUALITET, 7 Gusht 2019, 13:28

DETAJE/ Kush janë tre vëllezërit që i vunë gjobë 50 mijë euro biznesmenit në Tiranë

DETAJE/ Kush janë tre vëllezërit që i vunë gjobë


Zbulohen emrat e tre vëllezërve që i vunë gjobë 50 mijë euro një biznesmeni. Një tjetër rast i gjobëvënies është goditur nga Policia dhe Prokuroria për Krime të Rënda, ndërsa në pranga kanë rënë tre vëllezër.

Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Policisë, tre të arrestuarit i kishin kërkuar një shumë prej 50 mijë eurosh një personi dhe e kërcënonin me jetë, atë dhe familjen. Operacioni i koduar “Brothers” është finalizuar pas disa muajsh hetime dhe materialet janë referuar në Prokurorinë për Krime të Rënda.

“Finalizohet operacioni ‘Brothers’ nga DVP Tiranë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vihen në pranga tre vëllezër, pasi i kishin vënë gjobë 50 mijë euro një shtetasi”, njoftoi Policia. Zyrtarisht, Policia nuk bëri të ditur identitetet e personave të arrestuar, por burime konfirmuan se bëhet fjalë për Xhekson, Aleks dhe Eugert Titinin.

HETIMET

Prej disa javësh, Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia kishte nën vëzhgim tre personat, të cilët ishin vënë nën hetim pas denoncimit të një shtetasi se ishte kërcënuar nga ata në mënyrë që t’u jepte një shumë prej 50 mijë euro.

“Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale ndaj jetës dhe pronës, sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pas një pune të mirorganizuar disajavore, duke përdorur edhe metoda speciale hetimi, finalizoi me sukses operacionin ‘Brothers’”, njoftoi dje Policia.

BASHKËPUNIMI

Sipas Policisë, tre vëllezërit në bashkëpunim kërcënonin me jetë një shtetas dhe i kërkonin atij shumën prej 50 mijë eurosh. Kërcënimet, sipas Policisë, kanë qenë të shumta, duke nxitur këtë shtetas të kryente kallëzimin.

Tre vëllezërit pritet që gjatë ditës së sotme të dalin për t’u njohur me masën e sigurisë në Gjykatën për Krime të Rënda.

“Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar t’i marrin në formë gjobe një shumë prej 50 mijë eurosh një shtetasi, nëpërmjet kërcënimeve të vazhdueshme për jetën e tij dhe të familjarëve”, shkruhej në njoftim.

Materialet i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.