AKTUALITET, 11 Shtator 2018, 10:13

Dështon sërish seanca për Emiljano Shullazin

Dështon sërish seanca për Emiljano Shullazin

Dështon sërish seanca për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal me akuza të rënda. Edhe këtë seancë dështoi leximi i pretencës nga ana e prokurorisë e cila përfaqësohet nga prokurori Besim Hajdarmataj.

Përfaqësues të akuzës deri tani kanë qenë prokurorët Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi. Por Imeraj u komandua drejtuese e Prokurorisë së Tiranës dhe ka hequr dore nga çështja ndërsa Nakuçi është justifikuar me probleme shëndetësor duke paraqitur një raport mjekësor në seancën e sotme.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela ka autorizuar prokurorin Besim Hajdarmataj për të përfaqësuar organin e akuzës.

Por Avokatët kanë qenë kundër pasi sipas tyre në kohën kur ka nisur hetimi për Shullazin dhe të pandehurit e tjerë ai ishte në krye të Krimeve të Rënda dhe madje e kanë thirrur edhe si dëshmitar por kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata.

Hajdarmataj në anën tjetër ka kërkuar kohë për t’u përgatitur për pretencën. Seanca e radhës është vendosur të jetë më 25 shtator.

Sot në gjykatën e Krimeve të Rënda ka pasur masa të rrepta sigurie dhe forca të shtuara policie megjithëse as Emiljano Shullazi dhe as të pandehurit e tjerë nuk ishin të pranishëm.

Pas seancës ka folur edhe avokati i Shullazit i cili tha se organi i akuzës ka kryer disa paligjshmëri duke nisur që nga arrestimi.

“Fillimi i këtij procedimi është i paligjshëm. Është filluar hetimi pa prova. Ka paligjshmëri të kryera nga organi i akuzës duke filluar nga momenti i arrestit”, tha avokati.

I pyetur se çfarë do të ndodhë pas zëvendësimit të prokurorit, avokati tha se “do zvarritet sërish çështja”./BW/