AKTUALITET, 1 Dhjetor 2017, 11:57

Dëshmia/ Përplasi eskortën e Ramës, kërkesa befasuese e të riut në gjyq

Dëshmia/ Përplasi eskortën e Ramës, kërkesa befasuese e

Spiro Naçi, 29-vjeçari që shkaktoi aksidentin me eskortën e Kryeministrit dhe ku mbetën të plagosur tre punonjës të Gardës, do të mbahet në burg edhe për të paktën 30 ditë.

Para Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, i riu kërkoi që ndaj tij të jepet një masë e lehtë pasi  “arresti me burg” do t’i sillte dëme për shkak se është në marrëdhënie pune. Aksidenti ku u përfshinë katër automjete, bashkë me makinën tip “Volkswagen” të drejtuar prej tij, ndodhi më 27 nëntor në hyrje të qytetit të Korçës.

Prokurori i çështjes ka risjellë dinamikën e aksidentit, ku theksoi se përplasja ndodhi në momentin kur eskorta e Kryeministrit Edi Rama e përbërë nga katër automjete po udhëtonte drejt Korçës, ndërsa Spiro Naçi ishte duke udhëtuar drejt Pogradecit. Në momentin kur makina që po udhëtonte para tij, një automjet tip “Range Rover”, ka frenuar papritur sapo ka parë eskortën, Naçi ka tentuar të kryejë parakalim, por ka dështuar duke u përplasur me makinën para tij, por dhe me dy makinat që ishin pjesë e eskortës, ku njëra prej tyre përfundoi në kanal.

Pikërisht në makinën që përfundoi në kanal gjendeshin dhe dy gardistët që mbetën të plagosur, Shkëlqim Pojana, 55 vjeç dhe Ervin Musai, 38 vjeç.

Ky i fundit ka marrë dëmtime më të rënda dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. Ndërkohë që priten raporti mjekoligjor për Ervin Musain dhe aktekspertimi autoteknik, organi i akuzës ka kërkuar lënien në masën arrest me burg me afat 30 ditë për Naçin.

“Nga hetimi ka rezultuar se dy mjetet janë përballur me eskortën, e cila lëvizte në kahun tjetër. Pasi ka ndaluar mjeti ‘Range Rover’ që ishte para ‘Volkswagenit’, që drejtohej nga i arrestuari, ky i fundit ka tentuar të hyjë në parakalim, por gjatë manovrës është spostuar në kahun tjetër dhe më tej është përplasur nga dy mjetet e eskortës. Dy të dëmtuarit, Shkëlqim Pojana dhe Ervin Musai, janë dërguar në spital dhe ky i fundit ndodhet në Tiranë për mjekim të specializuar.

Shkëlqim Pojana i plagosur lehtë, ndërsa Ervin Musai i plagosur rëndë. Pritet akti mjekoligjor dhe ekspertimi autoteknik, ndaj kërkohet masa arrest me burg me afat 30 ditor”, u shpreh prokurori i çështjes, Elsion Sadikaj. Nga ana tjetër, avokati i 29-vjeçarit kërkoi një masë më të lehtë sigurimi, duke vënë në dukje faktin se ngjarja ka qenë aksidentale dhe se i arrestuari nuk ka qenë nën efektin e alkoolit apo lëndëve të tjera që mund të ndikonin në shpërqendrimin e tij.

Ndërsa vetë 29-vjeçari Spiro Naçi, i cili jeton me prindërit e tij, u kërkoi falje gardistëve që mbetën të lënduar nga aksidenti dhe familjeve të tyre, duke u shprehur se gjithçka ishte e paqëllimshme.

“Dua t’u kërkoj falje personave që mbetën të dëmtuar, familjeve të tyre, edhe pse i dëmtova pa dashje. I kërkoj falje edhe familjes sime për shqetësimin që i solla, ndërsa gjykatës i kërkoj që të më caktojë një masë më të lehtë sigurimi, pasi jam në marrëdhënie pune dhe kjo do të më sillte pasoja”, u shpreh Naçi. Por, pavarësisht kësaj kërkese, gjykata në fund pranoi kërkesën e prokurorisë duke e lënë të riun në burg për një afat prej 30 ditësh.