TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka bërë publik një rast të referuar së fundmi në SPAK që lidhet me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, për realizimin e operacioneve fiktive të zhdoganimit dhe eksportit nga vendet e Bashkimit Europian.
“Dogana Shqiptare ka referuar në SPAK një çështje që lidhet me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, për realizimin e operacioneve fiktive të zhdoganimit dhe eksportit nga vendet e Bashkimit Europian.
Duke qenë se në këtë skemë janë përdorur materiale të ngjashme me ato zyrtare të administratës doganore shqiptare, çështja është referuar në SPAK, ndërsa njëkohësisht është njoftuar edhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me qëllim hetimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie, e cila cenon kryesisht interesat financiare të Bashkimit Europian,” u shpreh Beja.
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe Dogana Shqiptare ka bërë publike dhe një sërë rastesh të tjera si në Portin e Durrësit, aeroportin e Rinasit dhe në degë të tjera doganore.
“Kemi parandaluar dhe goditur jo vetëm shkeljet në fushën doganore, por edhe raste që lidhen me trafikimin e mundshëm të lëndëve narkotike. Në çdo rast janë kryer referimet përkatëse pranë organeve kompetente, si në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ashtu edhe në Prokurorinë e Posaçme”, tha Beja.
Në përfundim, ai ritheksoi se Dogana Shqiptare mbetet e angazhuar në misionin e saj ligjzbatues, bashkëpunimin me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë.