AKTUALITET, 28 Maj 2020, 16:25

COVID-19 i ‘djeg’ mushkëritë, 18-vjeçarit në Milano i bëhet transplant, rasti i parë në Europë

Një 18-vjeçari në Itali iu transplantuan të dyja mushkëritë, të cilat ishin dëmtuar rëndë pas infektimit me koronavirus. Siç raportojnë mjekët në një spital në Milano, COVID-19 i kishte “djegur” mushkëritë e të riut dhe brenda pak ditësh i kishte nxjerrë jashtë funksionit.

Një ndërhyrje e tillë që është e para e këtij lloji në Europë, u krye nga mjekët e Poliklinikës së Milanos, nën koordinimin e Qendrës Kombëtare të Transplanteve, me Qendrën Rajonale të Transplantit dhe programin e transplantimit të Italisë Veriore.

Koornavirusi kishte ndryshuar jetën e Francescos, i cili edhe pse ishte në moshë të re u infektua dhe mushkëritë e tij u dëmtuan shumë duke mos kryer më funksionin e tyre.

Gjithçka nis më 2 mars ku 18-vjeçari shfaqi simptomat e para të COVID-19. Ai kishte temperaturë të lartë dhe më 6 mars shtrohet në spitalin ‘San Raffaele’ në Milano ku përfundon në terapi intensive.

Dy ditë më vonë ai intubohet dhe më 23 mars i riu lidhet me makinën ‘Ecmo’ për qarkullim ekstrakorporal. Pra, mushkëritë e tij nuk funksiononin më dhe në mesin e muajit prill, pas konsultimesh me njëri-tjetrin, mjekët vendosën që 18-vjecari kishte nevojë për transplant.

Më 30 prill ai u fut në listën e pritjeve urgjente për transplant dhe pas dy javësh u gjet dhuruesi, një grua që kishte ndërruar jetë në një tjetër rajon. Operacioni u krye më 18 maj dhe gjithçka shkoi shumë mirë dhe i riu është në gjendje të mirë.

“Të jesh në gjendje të realizosh atë që duket se është pothuajse një mrekulli, në mes të një pandemie tregon edhe një herë përsosmërinë e kujdesit shëndetësor në provincën e Lombardisë”- tha presidenti rajonit, Attilio Fontana.