AKTUALITET, 28 Maj 2020, 15:34

Meta letër Mbretëreshës së Danimarkës: Mirënjohës për mbështetjen që na keni dhënë

Meta letër Mbretëreshës së Danimarkës:

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka dërguar një letër Mbretëreshës së Danimarkës, Margrethe II, me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Përpos urimit, Meta i shpreh Mbretëreshës dhe gjithë popullit danez, falenderimet e thella për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 50 viteve.

“Shqipëria dhe populli shqiptar mbeten thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakomshme që Danimarka ka ofruar gjatë 30 viteve të fundit për forcimin e institucioneve demokratike, të drejtat e njeriut, lirisë së medias dhe për qeverisje të mirë në vendin tim, të cilat besoj fuqimisht se do të vazhdojnë teksa ne përparojmë në mënyrë të qëndrueshme drejt rrugës për në BE”, shkruan Meta mes të tjerash.

Letra e plotë:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PRESIDENTI

Tiranë

Madhëria Juaj,

Me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës, në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar, jam i lumtur që kam mundësinë të ndaj gëzimin e festimit të këtij momenti të paharrueshëm me Madhërinë Tuaj dhe me popullin danez.

Ne gëzojmë sot për lidhjet miqësore të gjithëanshme dhe të vërteta që shqiptarët dhe danezët kanë zhvilluar ndër vite, teksa marrëdhënia jonë institucionale është forcuar në mënyrë të qëndrueshme për të ndarë dhe rrezatuar vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe begatisë përmes bashkëpunimit tonë të mirë dypalësh, partneritetit të NATO-s dhe angazhimit europian.

Në këtë kontekst, Shqipëria dhe populli shqiptar mbeten thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakomshme që Danimarka ka ofruar gjatë 30 viteve të fundit për forcimin e institucioneve demokratike, të drejtat e njeriut, lirisë së medias dhe për qeverisje të mirë në vendin tim, të cilat besoj fuqimisht se do të vazhdojnë teksa ne përparojmë në mënyrë të qëndrueshme drejt rrugës për në BE.

Gjithashtu, kam shpresa të mëdha për këtë Jubile të Artë që lidhjet tona miqësore dhe bashkëpunimi ynë i përhershëm do të lulëzojnë dhe rriten më tej në dobi të dy kombeve tona.

Duke shprehur edhe një herë urimet e mia të përzemërta për 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës, dhe duke shprehur urimet e mia më të mira për begatinë dhe mirëqenien e Madhërisë Suaj dhe Mbretërisë së Danimarkës, Ju lutemi pranoni, Madhëria Juaj, vlerësimet e mia më të larta.

Ilir META

Madhëria e Saj,

Margrethe II

Mbretëreshë e Danimarkës

KOPENHAGEN