TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pasditen e sotme, avokati i gazetari Jetmir Olldashin, Çlirim Gjata, ka paraqitur pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një kërkesë për transparencë të plotë të çështjes.
“Kërkesë për zbardhjen e vendimit nr.142, dt.06.10.2018 “Për caktimin e masës së sigurimit personal” të gjyqtares Liljana Baku.
Marrjen e kopjes së akteve të ndodhur në fashikullin gjyqësor në ngarkim të personit nën hetim Jetmir Olldashi”, thuhet në kërkesën drejtuar Krimeve të Rënda.
Kërkesa e plotë:
I PËRFAQËSUAR: Av. Çlirim Gjata, me licensë nr. 7658 dhe av. Indrit Sefa, me nr.license 5460
E nderuar Gjykatë,
Në datën 06.10.2018, u vumë në dijeni nga media audiovizive që ndaj të përfaqësuarit prej nesh, Jetmir Olldashi, i datëlindjes 30.05.1981, lindur në Berat e banues në Tiranë, rr. “Mikel Marubi”, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendim nr. 142, dt. 06.10.2018, ka vendosur masë e sigurimit personal “Detyrim për paraqitje”, në kuadër të procedimit penal nr. 95, viti 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
I përfaqësuari prej nesh, personi nën hetim, Jetmir Olldashi, pasi mori dijeni nga media për këtë vendim të Gjykatës, u paraqit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, Tiranë. Në kontaktin me Oficerë të Policisë Gjyqësore, u njoftua zyrtarish me vendimin e shkurtuar të kësaj Gjykate ndaj personit të tij.
Në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, më konkretisht nenit 245, kërkojmë që të njihemi me Vendimin e zbardhur nr. 142, dt.06.10.2018, pasi, në “Shkurtim Vendimi” që disponojmë, nuk ka asnjë nga elementët e përcaktuar në nenin e mësipërm.
Më konkretisht:
– Mungon parashtrimi përmbledhës i fakteve në ngarkim të shtetasit Jetmir Olldashi, si “person nën hetim”, parashikuar në nenin 245, pika “b” e Kodit të Procedurës Penale.
– Mungon parashtrimi i shkaqeve të posaçme dhe të të dhënave që përligjin masën e sigurimit, të përcaktuara në nenin 245, pika “c” dhe ”ç” të Kodit të Procedurës Penale.
Gjithashtu, kërkojmë nga ana e institucionit Tuaj të na vendosni në dispozicion një kopje të të gjithë akteve, bashkëlidhur kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të cilat janë pjesë e fashikullit gjyqësor, me të cilat u kërkua caktimi i masës së sigurimit ndaj të përfaqësuarit prej nesh, Jetmir Olldashi, si “person nën hetim”, në bazë të parashikimeve të nenit 105 të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo kërkesë bëhet me qëllim që të njihemi me provat dhe, brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, të depozitojmë ankimin pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Me respekt,
JETMIR OLLDASHI
AVOKATËT
ÇLIRIM GJATA INDRIT SEFA