AKTUALITET, 7 Tetor 2018, 19:42

Laçi zhyt Tiranën, krizë totale te ekipi i Ze Marias

Laçi zhyt Tiranën, krizë totale te ekipi i Ze Marias

Laçi vazhdon të jetë mrekullia e këtij sezoni. Kurbinasit, në javën e tetë të Superiores, fituan ndaj Tiranës në transfertë, brenda në stadiumin “Selman Stërmasi”, me shifrat e ngushta 0-1.

Pjesa e parë nisi me disa tentativa nga të dyja krahët, edhe pse më të pastër ishin ato të kurbinasve, me Xhixhën dhe Shtubinën si rrezik kryesor.

Me nisjen e pjesës së dytë, Tirana shtanget në minutën e 51-të, pas një goli të Xhixhës, që i vidhet mbrojtësve brenda zone. Më pas, kurbinasit tërhiqen në mbrojtje, dhe Tirana ka iniciativën, edhe pse duket e paqartë në disa sulme.

Blazhevski ka rastin e artë në minutën e 83-të, me një penallti të fituar nga Ngo, por maqedonasi humb në mënyrë të pabesueshme, teksa godet totalisht jashtë kuadratit.

Një tjetër fitore e rëndësishme për Laçin, që vazhdon të mbetet e pathyer në këtë kampionat, dhe ngjitet në vendin e tretë me 16 pikë. Nga ana tjetër, Tirana në një krizë totale, pasi në 8 ndeshje, ka mbledhur vetëm 8 pikë, dhe gjendet në vendin e 7-të të klasifikimit.