AKTUALITET, 10 Prill 2020, 19:41

Foto/ "Burgjet luksoze" ku kalojnë karantinën, të pasurit dhe politikanët e Shqipërisë

Pandemia e koronavirusit, ka kyçur në shtëpi të gjithë shqiptarët për javë të tëra, duke krijuar një situatë të padurueshme, sidomos për ata që jetojnë në ambjente të vogla. Por, jo të gjithë vuajnë në karantinë. Të pasurit dhe politikanët në vendin tonë, janë mbyllur në "burgje" luksoze, në vilat dhe apartamentet e tyre.

Fatmir Hysenbelliu:

Fatmir Hysenbelliu, djali i pronarit të "Focus Media Group", Irfan Hysenbelliu, po i kalon ditët e karantinës, në apartamentin e tij luksoz në Tiranë. Banesa ka një pishinë në tarracë dhe të gjitha komoditetet e nevojshme për të shtyrë këto ditë "burgosje". Hysenbelliu poston foto të ndryshme në rrjetet sociale nga apartamenti i tij, duke bërë palestër dhe së fundmi duke lexuar edhe librin "Sapiens" të Yuval Noah Harari, me gjasë për ta kuptuar dhe për t'u iluminuar, rreth botës dhe rracës njerëzore, pikërisht tani që mund t'i vijë edhe fundi...

 

Ylli Ndroqi:

Pronari i "Yldon Media Group", Ylli Ndroqi, sëbashku me bashkëshorten e tij,  po i kalojnë ditët e karantinës në vilën e tyre luksoze në periferi të Tiranës, në kompleksin "Rolling Hills". Vila ka një sipërfaqje të madhe kopshti me bimë të shumta dhe pishinë.

Blendi Fevziu:

Drejtuesi i emisionit "Opinion", vijon punën intensivisht dhe i kalon ditët mes televizionit Klan, ku përgatit emisionin dhe vilës së tij në "Rolling Hills", ku ka një verandë të bollshme, që e lejon të kryejë aktivitet fizik dhe nga ku, ai ka shpërndarë një mesazh sensibilizues për qytetarët,në lidhje me Covid-19.

Edi Rama:

Kryeministri Edi Rama i kalon ditët mes zyrës së tij në kryeministri dhe vilës në Surrel, ku ka një kopësht impresionues, që i bën më të lehta, veçanërisht fundjavat, kur Rama është i karantinuar. Kryeministri ka regjistruar disa video selfie dhe ka realizuar një intervistë televizive, nga vila atipike, të cilën e karakterizon një beton i "zhveshur" dhe shumëllojshmëri bimësie.

Lulzim Basha:

Lideri i opozitës i kalon ditët mes selisë së partisë, supermarketit ku bën pazaret dhe vilës, ku sipas PD-së, jeton përkohësisht, në kompleksin Long Hill. Edhe pse nuk ka pamje të kësaj vile ku qëndron kryedemokrati, modelet 3D të kompleksit, tregojnë se vilat kanë sipërfaqje të gjelbër.

*PS. Renditja e mësipërme, është e rastësishme dhe nuk ka lidhje me sasinë e parave, pronave, apo kredive që personazhet posedojnë.

/TPZ.al/