TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson po planifikon të mbyllë legjislativin për 5 javë, me qëllim që t’ua ndalojë me çdo kusht deputetëve në Westminster shtyrjen e daljes nga Bashkimi Evropian, i parashikuar të ndodhë më datë 31 tetor.
Kështu raportojnë mediat britanike, që flasin për një plan sekret të Johnson-it për të finalizuar me domosdo procesin e Brexit-it brenda afatit të shtyrë në prill të këtij viti në Samitin e Brukselit.
“The Oberserver” raporton se zotëron një e-mail të shkruar këto 10 ditët e fundit e të dërguar në “Downing Street”, ku tregohet qartazi se kreu i ekzekutivit britanik kërkon këshilla mbi ligjshmërinë e mbylljes së Dhomës së Komunave.
Udhëzimi fillestar i bazuar në kuadrin ligjor, e konsideron iniciativën të mundshme, por që mund të rrëzohej vetëm nga një kërkesë dërguar gjykatave nga deputetet anti-Brexit, të cilët kanë reaguar tashmë me zemërim ndaj këtyre raporteve.
Mbyllja e Dhomës së Komunave interpretohet nga ta si sfidë ndaj demokracisë dhe si një gjest krejtësisht i papërgjegjshëm. Pakënaqësi ka edhe mes disa konservatorëve, që parapëlqejnë qëndrimin në bllokun europian.
“Ai email, në qoftë i vërtetë, dëshmon përçmimin që Boris Johnson ka për këtë institucion.
Të përjashtosh këtë dhomë nga një krizë kombëtare që kërcënon të ardhmen e vendit tonë, është totalisht e gabuar”, është shprehur ish-prokurori i përgjithshëm, Dominic Grieve.
Dhoma e Komunave rinis punën më 3 shtator dhe një mbyllje prej 5 javësh, do t’ia ndalonte asaj aktivitetin deri në 17 tetor, kur do të ishte ndërkohë tepër vonë për të frenuar Brexit-in, që me shumë gjasa mund të ndodhë pa arritjen e asnjë marrëveshjeje.