AKTUALITET, 26 Gusht 2019, 11:31

Lesi mbron Gjonajn: Nuk është bërë nami se fjeti në hotel luksoz, le ta bëjë prapë, por të ndëshkohet stafi...

Lesi mbron Gjonajn: Nuk është bërë nami se fjeti në

Gazetari Nikoll Lesi, ka bërë një shkrim në gazetën  Koha Jonë, lidhur me shpenzimet e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Lesi i ka quajtur normale këto shpenzime, madje shkruan se ministrja nuk ka kryer asnjë vjedhje dhe duhet ta përsërisë këtë sjellje, nëse i sjell vendit "sukses dhe akses ndërkombëtar". Lesi thotë se ministrja Gjonaj, duhet të ndëshkojë punonjësit e stafit, të cilët i kanë prenotuar hotele luksoze.

Më tej, Lesi thotë se media duhet të merret me dhomat e ministrave të mbushura me euro, por çuditërisht, nuk përmend emrin e asnjë ministri. Me një kërkim të thjeshtë në gazetën Koha Jonë, rezulton se nuk ka  ndonjë investigim apo shkrim ku të përmenden ministra me dhomat e mbushura me euro, ndaj nuk dihet se cilit prej ministrave apo ish ministrave të korruptuar i referohet ai në këtë shkrim.

Për t'u ndriçuar sadopak për këtë qëndrim të Lesit, lexoni shkrimin e tij të plotë.

/TPZ.al/

Shkrimi i plotë i Nikoll Lesit:

I jemi vënë pas një femre ministre për një dhomë fjetje, e cila, realisht, duhet të përgjigjet moralisht si dhe të ndëshkojë punonjësit e stafit të ministrisë që janë “përkujdesur” kaq shumë për shtratin e ministres.

Natyrisht që nëse do ta “pjekësh” apo është plan kryeministror që ta bëjnë tabelë qitje ministren, “pushkët” e portalëve janë gati, me fishekë të vertetë. Por nuk është bërë nami se paska fjetur ministrja në një dhomë të shtrenjtë. Bile, nëse vendit, vizitat e saj zyrtare i sjellin me tepër sukses dhe akses ndërkombëtar, edhe më shtrenjtë të flejë në dhomat e hotelit.

Por duke u marrë me ministren Etilda, e cila nuk ka deri më tani akuza për korrupsion, spostohet enkas goditja ndaj kryeministrit dhe ministrave të tjerë.

Dihet nga të gjithë dhe media ka botuar fakte, edhe prokuroria ka dosje plot, se ka ministra, ish-ministra, zyrtarë apo ish-zyrtarë me dhoma plot me euro.

E pse nuk merremi me këta që flenë thjesht në hotele, porse kanë rruajtur krejt buxhetin e shtetit me tenderime, koncensione apo privatizime?

Ministrja Etilda duhet të flasë më qartë, në sensin se kjo që ka ndodhur nuk do përsëritet, por ajo nuk ka kryer asnjë vjedhje apo krim. Nëse ka ndonjë lojë PS-ja për ta “palosur” këtë vjeshtë më mirë të mos përdoret media në funksion të kësaj loje apo pazari ndër radhët e mazhorancës që “të godasim Etildën dhe të vendosim Ylvinjtë”.

Le ta lemë shtratin e ministres dhe të merremi me firmat e saj, nëse ka firmosur kundrejt ligjit.

Le të merremi me ata zyrtarë qeveritarë që dhomat e shtëpisë i kanë të mbushura më thasë me euro, pasi kanë frikë t’i fusin nëpër banka.

Boll më me krevatin e ministres, pasi po biem në lojën fine të kryeministrit, që po merremi me gjurmët, kurse “ujku” po bën kërdinë me buxhetin e shtetit.