BOTA, 25 Qershor 2025, 09:35

Zbatimi/ Armëpushimi Izrael-Iran, i dërguari i Trump: Bisedimet për paqe, premtuese! Teherani arreston 700 persona për lidhje me Mossadin, ekzekuton 3 të tjerë

Zbatimi/ Armëpushimi Izrael-Iran, i dërguari i Trump: Bisedimet

Armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit, i ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA Donald Trump, duket se po zbatohet të mërkurën, një ditë pas dy vendet sinjalizuan se lufta 12 ditore kishte mbaruar. Të dyja palët shpallën fitoren të martën pas 12 ditësh luftë, së cilës SHBA iu bashkua me sulme ajrore në mbështetje të Izraelit për të shkatërruar impiantet e pasurimit të uraniumit të Iranit.

I dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha vonë të martën se bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ishin "premtuese" dhe se Uashingtoni shpresonte për një marrëveshje paqeje afatgjatë.

"Ne tashmë po flasim me njëri-tjetrin, jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe nëpërmjet bashkëbiseduesve. Mendoj se bisedat janë premtuese. Shpresojmë se mund të kemi një marrëveshje paqeje afatgjatë që do ta ‘ringjallë’ Iranin. Tani na takon neve të ulemi me iranianët dhe të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, dhe jam shumë i bindur se do ta arrijmë këtë", tha Witkoff në një intervistë për Fox News.

Trump tha se bombarduesit amerikanë kishin “zhdukur” programin e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore, por pretendimi i tij u kundërshtuar nga një prej agjencive të inteligjencës së administratës së tij. Sipas raportit, i cili u hartua nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, sulmet ajrore bllokuan hyrjet e dy prej objekteve, por nuk shembën ndërtesa nëntokësore.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se sulmi kishte eliminuar kërcënimin bërthamor kundër Izraelit dhe se ai ishte i vendosur të pengonte çdo përpjekje të Teheranit për të ringjallur programin e tij të armëve.

Izraeli nisi luftën ajrore të papritur më 13 qershor, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë, goditja më e rëndë ndaj Republikës Islamike që nga lufta e viteve 1980 me Irakun. Irani, i cili mohon se është përpjekur të ndërtojë armë bërthamore, u hakmor me breshëri raketash mbi bazat dhe qytetet ushtarake izraelite.

Irani ka arrestuar 700 persona të akuzuar për lidhje me Izraelin gjatë konfliktit 12-ditor, raportoi të mërkurën gazeta shtetërore Nournews, ndërsa Irani ekzekutoi tre burra të mërkurën, të dënuar për bashkëpunim me agjencinë e spiunazhit Mossad të Izraelit dhe kontrabandë të pajisjeve të përdorura në një vrasje të paidentifikuar, raportoi agjencia e lajmeve Mizan e gjyqësorit iranian.

Ushtria izraelite hoqi kufizimet mbi aktivitetin në të gjithë vendin të martën në orën 8 të mbrëmjes sipas orës lokale dhe zyrtarët thanë se Aeroporti Ben Gurion, aeroporti kryesor i vendit pranë Tel Avivit, u rihap. Hapësira ajrore e Iranit gjithashtu do të rihapet, raportoi Nournews, e lidhur me shtetin.