TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter ka votuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke hedhur votën me postë, sipas zëdhënësit Matthew De Galan.
Vetëm muaj më parë, nipi i Carter i tha Atlanta Journal-Constitution se ish-presidenti tashmë 100-vjeç shpreson të jetojë deri sa të nisë procesi i votimit për zgjedhjet presidenciale amerikane.
Ai raportohet se ka votuar për zëvendëspresidenten Kamala Harris, kandidaten e demokratëve për presidente, e cila vjen nga partia ku vetë Carter ka bërë pjesë.
59-vjeçarja ka siguruar mbështetjen edhe të ish-presidentëve, Bill Clinton dhe Barack Obama.
Zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 5 nëntor, por në disa shtete ka filluar procesi i votimit, i cili njihet edhe si “votimi i hershëm”.
Carter mbushi 100 vjeç dy javë më parë, ku u raportua se dëshira e tij ishte të votonte për kandidaten demokrate.
“Unë thjesht po përpiqem të mbahem në mënyrë që të mund të votoj për Kamala Harris,” deklaroi Jimmy Carter, sipas nipit të tij, Jason.
Ish-presidenti demokrat ka përfituar nga mundësia që i jep ligji, teksa votimi i parakohshëm në shtetin e Xhorxhias, ku ai banon, ka nisur të martën.
Sipas nipit të tij, të cituar nga Atlanta Journal-Constitution, Jimmy Carter i kishte thënë familjes së tij se ishte më e rëndësishme për të të qëndronte gjallë për të votuar sesa të festonte ditëlindjen e tij të 100-të, e në fund arriti dhe i bëri të dyja.
Carter është tërhequr nga jeta publike dhe ka marrë kujdes paliativ në shtëpi që nga shkurti i vitit 2023. Ai është ish-presidenti më i vjetër në jetë i SHBA.
Ai i ka mbijetuar kancerit metastatik të trurit dhe kancerit të mëlçisë dhe iu nënshtrua një operacioni në tru pas një rënieje në vitin 2019.
Ish-presidenti nderohet gjerësisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ndërmjetësimin e Marrëveshjeve të Camp David në 1978 midis Egjiptit dhe Izraelit.