TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kam një porosi të thjeshtë për banorët e Gazës: Kjo luftë mund të përfundojë që nesër, nëse Hamasi dorëzon armët dhe kthen pengjet”, deklaroi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ishte rrugës për në Gjermani kur u publikua lajmi. Ai i telefonoi kryeministrit Netanyahu për ta përgëzuar për vrasjen e Sinwarit.
“Tani është koha për të për bërë hapa përpara drejt armëpushimit në Gazë. Duhet të shkojmë drejt një qëndrimi nga i cila mund të përmirësojmë situatën për tërë botën”, deklaroi presidenti Biden.
Fushata ushtarake e Izraelit ka vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit, por gjithashtu ka vrarë dhjetëra mijëra civilë palestinezë.
Thirrjes e Presidentit Biden për t’i dhënë fund luftës i bëri jehonë edhe Nënpresidentja Kamala Harris.
“Duhet të përfundojë në atë formë që Izraeli të jetë i sigurtë, që pengjet të lirohen, që vuajtjeve në Gazë t’u vijë fundi dhe që palestinezët të jetësojnë të drejtat e tyre për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje”, tha ajo.
Familjet e pengjeve izraelite që ende po mbahen nga Hamasi thanë se vrasja e Sinwarit e bën më urgjente nevojën e arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi.
“Jeta e tyre është tani më në rrezik se kurrë. I bëjmë thirrje qeverisë izraelite dhe administratës amerikane që të veprojnë me shpejtësi dhe të bëjnë çfarëdo që duhet për arritjen e një marrëveshjeje me pengmarrësit”, deklaroi Orna Neutra, nëna e pengut izraelito-amerikan Omer Neutra.
Por përkundër trysnisë së shtuar ndaj qeverisë së kryeministrit Netanyahu, përfundimi i luftës në Gazë mund të mos jetë qëllimi kryesor i Izraelit aktualisht.
“Përqëndrimi i Izraelit dhe i Shteteve të Bashkuara tani është në Liban, ngaqë aktualisht është hapur mundësia për ta dobësuar shumë Hezbollahun. Këtë e dëshirojnë të gjithë aleatët e Shteteve të Bashkuara në rajon – Arabia Saudite, Egjipti dhe të tjerët”, thotë analisti politik Jonathan Rynhold nga Universiteti Bar-Ilan.
Të lodhur nga fushata njëvjeçare ushtarake e Izraelit, banorët e Gazës parashikojnë që vdekja e Sinwarit nuk do t’i jap fund luftës.
Ndërkohë që Izraeli vazhdon të përndjekë militantët e Hamasit, ekspertët e Kombeve të Bashkuara thonë se mbi 1.8 milionë njerëz, të cilët përbëjnë gati 90 për qind të popullsisë së Gazës, po përballen me uri.
Administrata e Presidentit Biden paralajmëroi këtë javë se mund t’i ndërpresë ndihmat ushtarake amerikane nëse Izraeli nuk u jep përgjigje nevojave humanitare në Gazë.
Të enjten ndihmat humanitare u hodhën nga ajri në Gazë. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se ndihmat janë pakësuar shumë që kur Izraeli rifilloi ofensivën në pjesën veriore të Gazës, duke e ndërprerë plotësisht futjen e ndihmave në atë pjesë./VOA