BOTA, 8 Prill 2023, 16:19

U rrëmbyen nga trupat ruse në Kherson e Kharkiv, 31 fëmijë ukrainas ribashkohen me prindërit

U rrëmbyen nga trupat ruse në Kherson e Kharkiv, 31 fëmijë

Pasi Organizata humanitare “Save Ukraine” deklaroi se 31 fëmijë ukrainas ishin rrëmbyer nga trupat ruse në rajonet e Khersonit dhe Karkivit, lajmi i mirë vjen nga ata. Mësohet se vogëlushët janë rikthyer sërish në Ukrainë, ndërsa kishin qëndruar për muaj me radhë të ndarë nga prindërit e tyre.

Ndarja e fëmijëve ukrainas nga familjet e tyre ka shkaktuar përplasje deklaratash dhe akuzash mes palëve.

Muajin e kaluar Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për krime lufte ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe Maria Alekseyevna Lvova-Belovas, Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, lidhur me dyshimet për rolin e tyre në transferimin dhe deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara ukrainase drejt Rusisë.

Autoritetet e Kievit thonë se trupat ruse kanë marrë me forcë më shumë se 16,000 fëmijë ukrainas duke i zhvendosur në Rusi ose në territoret ukrainase të kontrolluara nga Moska.