TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autoritetet amerikane kanë thënë se mbetjet mortore të gjetura në një zonë të largët pyjore të shtetit të Uashingtonit janë konfirmuar të jenë të një ish-ushtari të dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e tre vajzave të tij. Travis Decker, 32 vjeç, ishte në kërkim që nga 2 qershori, kur një oficer gjeti kamionin e tij dhe trupat e tre vajzave të tij – Paityn Decker nëntëvjeçare, Evelyn Decker tetëvjeçare dhe Olivia Decker pesëvjeçare – në një kamping jashtë Leavenëorth.
Ato ishin lidhur me zinxhirë dhe u ishin vendosur qese plastike mbi kokë. Autopsia zbuloi se ishin mbytur. Mbetjet njerëzore që besohet të jenë të Decker u zbuluan në një shpat të pjerrët, të largët dhe të pyllëzuar lart Malit Grindstone, më pak se një milje (1.6 km) larg kampingut, javën e kaluar, sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Chelan. Sherifi Mike Morrison tha se testet e ADN-së në rrobat e gjetura në vendngjarje, si dhe në mbetjet mortore, përputheshin me Decker. Zyra e mjekut ligjor po punon për të përcaktuar shkakun dhe kohën e vdekjes së tij.
Identifikimi i mbetjeve mortore si Decker i dha fund një kërkimi tremujor nga oficerët, të cilët donin të nderonin kujtimin e vajzave, tha sherifi. Trupat e vogëlusheve u gjetën tre ditë pasi Decker nuk i kishte kthyer vajzat e tij në shtëpinë e nënës së tyre në Wenatchee, rreth 100 milje në lindje të Seattle, pas një vizite të planifikuar. Ajo i tha policisë se vajzat nuk u kthyen siç ishte planifikuar dhe se telefoni i Decker dilte në sekretarinë telefonike. Shtatorin e kaluar, ajo i kishte paralajmëruar autoritetet se Decker po përjetonte probleme të shëndetit mendor dhe ishte bërë gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Ajo e përshkroi atë si të pastrehë që jetonte në kamionin e tij. Zyrtarët thanë se Decker iu bashkua ushtrisë amerikane në vitin 2013 dhe u dërgua në Afganistan për katër muaj në vitin 2014.