BOTA, 25 Shtator 2025, 15:58

Pas ministrave, Sllovenia i ndalon hyrjen në territorin e saj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu

Pas ministrave, Sllovenia i ndalon hyrjen në territorin e saj kryeministrit

Sllovenia ndaloi sot hyrjen në territorin e saj të Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, në vijim të një ndalimi të mëparshëm të hyrjes së dy ministrave të krahut të djathtë, anëtarë të kabinetit izraelit.

Si anëtare e Bashkimit Evropian, Sllovenia njohu vitin e kaluar Shtetin Palestinez, vendosi embargo armësh ndaj Izraelit në gusht dhe ndërmori ndalim për importin e mallrave të prodhuara në territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli.

Shtetet evropiane në masë të madhe kanë njohur tashmë Shtetin e Palestinës, pas njoftimeve zyrtare që bënë të hënën nga foltorja e OKB-së Franca, Belgjika, Luksemburgu dhe Malta, pas rreth dy vjetësh luftë në Rripin e Gazës.

Sipas të dhënave të AFP-së, të paktën 151 nga 193 vendet anëtare të OKB-së e njohin tashmë Shtetin e Palestinës.

Nga ana e tij, Benjamin Netanyahu kritikoi sot liderët që njohën së fundmi Shtetin Palestinez, para se të nisë udhëtimin për në Shtetet e Bashkuara, ku do të mbajë të premten një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të takohet edhe me Presidentin Donald Trump.

“Në Asamblenë e Përgjithshme do të them të vërtetën tonë, të vërtetën e qytetarëve të Izraelit, të ushtarëve tanë, të kombit tonë,” deklaroi ai në aeroportin Ben Gurion, sipas një njoftimi nga zyra e tij.

“Do të denoncoj ata udhëheqës që, në vend që të dënojnë vrasësit, përdhunuesit, ata që dogjën fëmijë, duan t’u japin një shtet në zemër të Tokës së Izraelit,” shtoi kryeministri, ndaj të cilit në nëntor 2024 është nxjerrë urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.

Ai përsëriti se ardhja e një shteti palestinez “nuk do të ndodhë”. Më parë, Netanyahu kishte deklaruar se valë e fundit e njohjeve të shtetit palestinez, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, “nuk detyron Izraelin në asgjë” dhe e quajti këtë vendim “dorëzim të turpshëm të disa udhëheqësve para terrorizmit palestinez”.