TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nga New York, pak para fjalës së saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministrja italiane Giorgia Meloni lëshoi një sulm të ashpër ndaj nismës së flotilës për Gazën, duke e quajtur atë "të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”.
Sipas saj, opozita po shfrytëzon vuajtjet e popullit palestinez për të sulmuar qeverinë italiane, duke e akuzuar atë si “bashkëfajtore për atë që ndodh në Gaza” dhe madje duke e quajtur “vrasëse”. Meloni u shpreh se kurrë nuk ka përdorur një gjuhë të tillë kur vetë ishte në opozitë.
Ajo theksoi se qeveria ka ofruar mundësi konkrete për shpërndarjen e ndihmave pa rrezikuar jetën e qytetarëve, përfshirë një plan që parashikon dorëzimin e tyre në Qipro përmes Patriarkanës Latine të Jerusalemit. “Nuk ka nevojë të rrezikosh jetën në një teatër lufte për të dorëzuar ndihmat”, tha Meloni, duke akuzuar se qëllimi i flotilës është më shumë politik se humanitar.
Kryeministrja sfidoi opozitën të thotë hapur se cila është alternativa e tyre: “A duhet të detyrojmë flotën ushtarake italiane të përballet me bllokadën detare të Izraelit dhe t’i shpallim luftë? Pres një përgjigje të qartë nga liderët e opozitës.”
Meloni u shpreh gjithashtu e befasuar nga kundërshtimi i opozitës ndaj propozimit të saj për njohjen e Palestinës, të lidhur me lirimin e pengjeve dhe përjashtimin e Hamasit nga çdo rol qeverisës në Gaza.
Në të njëjtën konferencë shtypi, e shoqëruar nga ministri i Jashtëm Antonio Tajani, ajo foli edhe për krizën në Ukrainë, duke shprehur besimin tek përpjekjet e Donald Trump për paqe, si dhe paralajmëroi Evropën të mos bjerë në “provokimet e Putin” pas sulmeve me dronë e avionë rusë mbi hapësirën evropiane.
Në planin e brendshëm, Meloni deklaroi se është “krenare që është ende në këmbë pas tre vitesh” dhe se ekonomia italiane po ecën mirë, por shtoi se sfida të mëdha mbeten, përfshirë sigurinë dhe kostot e energjisë. Sa i përket reformave, ajo përjashtoi për momentin ndryshimin e moshës së pensionit, duke lënë derën hapur për diskutime të ardhshme në koalicion.