TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tarifat doganore prej 30% që ka paralajmëruar presidenti amerikan Donald Trump ndaj produkteve të importuara nga Bashkimi Europian, mund të kenë një kosto deri në 2,3 miliardë euro për familjet amerikane dhe sektorin agroushqimor italian, sipas vlerësimeve të shoqatës më të madhe të këtij sektori në Itali.
Trump njoftoi të shtunën se nga 1 gushti SHBA do të vendosë tarifa prej 30% ndaj mallrave të importuara nga BE-ja dhe Meksika, pavarësisht negociatave që janë në zhvillim për të shmangur këtë masë deri në skadimin e afatit të ri.
Sipas një deklarate të shoqatës italiane Coldiretti, “ndikimi në çmimet për konsumatorët amerikanë do të sjellë, në mënyrë të pashmangshme, pasoja negative për kompanitë italiane të sektorit”.
“Rënia e konsumit do të thotë produkte të pashitura për ndërmarrjet italiane, të cilat do të detyrohen të kërkojnë tregje të reja”, thuhet në deklaratë, ku gjithashtu vihet në dukje “rreziku i rritjes së falsifikimeve”, duke theksuar se SHBA është tashmë prodhuesi më i madh në botë i ushqimeve me etiketë të rreme ‘Made in Italy’.
Sipas parashikimeve të Coldiretti, tarifat prej 30% do të shkaktojnë rritje të ndjeshme të çmimeve për disa nga produktet më ikonike italiane si djathrat, verërat, domatet e përpunuara, makaronat e mbushura, reçelrat dhe produkte të tjera të konservuara.
“Vendosja e tarifave doganore mbi produktet agroushqimore europiane dhe rrjedhimisht italiane, do të jetë një goditje e rëndë për ekonominë reale, për bujqësinë si dhe për konsumatorët amerikanë, të cilët do të privohen nga produktet autentike ose do të detyrohen t’i paguajnë shumë më shtrenjtë”, komentoi presidenti i Coldiretti-t, Ettore Prandini.
Sipas tij, kjo lëvizje do të përfaqësonte “dështimin e plotë të politikës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen”.
Nga ana tjetër, BE-ja, e cila ka mandatin për të negociuar në emër të 27 vendeve anëtare, e dënoi ashpër njoftimin e Trump, por konfirmoi se është ende e përkushtuar për të arritur një marrëveshje tregtare me Uashingtonin.