TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Babai i Riccardo Boni, 17-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht pasi u varros nga rëra në një plazh në Itali ndërsa po luante me vëllezërit e tij, mohon zërat se në momentin e ngjarjes tragjike ishte duke fjetur në shezlong:
“Unë i mbaja në sy, isha dy-tre metra larg. Po gërmonin një gropë për lojë dhe Riccardo ishte 1.75 m i gjatë, ndërsa gropa 1.50 m – me kokë i dilte jashtë. Nuk e di, ndoshta nga lodhja, nga nxehtësia… në një moment është rrëzuar. Dhe nuk pati as kohë të bërtiste. Pse nuk bërtiti? Pse nuk e dëgjova?”
Si ndodhi tragjedia
Sipas Corriere della Sera, që sjell dëshminë e babait, Riccardo po luante në plazhin e Montalto di Castro (Viterbo) dhe pasi ndihmoi vëllezërit të hapnin një gropë, ata u larguan për të luajtur diku tjetër. Ndërkohë, 17-vjeçari vazhdoi të gërmonte, ndoshta për të ndërtuar një “tunel të vogël” nën rërë.
Në momentin që filloi të gërmonte horizontalisht, rëra u shemb mbi të dhe e mbuloi plotësisht. Riccardo ishte shtrirë, prandaj nuk arriti dot të ngrihej. Gropa, si një sarkofag natyral, u mbyll menjëherë mbi trupin e tij. Ai nuk pati as mundësi të kërkonte ndihmë.
Zbulimi
Babai nuk kuptoi menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Filloi ta thërriste të birin, duke menduar se kishte shkuar te vëllezërit. Por nuk mori përgjigje për 40 minuta të gjata.
Ishte vëllai 5-vjeçar ai që vazhdimisht përsëriste: “Riccardo është nën rërë.” Ai i çoi ekipet e shpëtimit në vendin ku vëllai i madh po luante. Vetëm pas gjetjes makabre, u kuptua se ai ishte dëshmitari i vetëm i tragjedisë.
Reagimi i miqve
Trupi i Riccardo u dërgua në varrezat e Montalto, ndërsa Prokuroria e Civitavecchias ka hapur një hetim.
Një mike e të ndjerit i tha gazetës Il Messaggero:
“Kushdo që e do Bonin po përpiqet të kuptojë si mund të vazhdohet të jetohet me këtë boshllëk. Po lexojmë komente ironike, batuta të pakuptimta. Çdo tallje është një plagë për ata që e kanë dashur dhe e duan ende. Është mungesë e thellë njerëzore.”
Një tjetër mik i Riccardo-s shton:
“Një vdekje absurde. Ai ishte gjithmonë i buzëqeshur, pozitiv, plot iniciativë. Ishte shpirti i grupit tonë. Nuk e kuptojmë si mund të ndodhë diçka kaq e padrejtë. Po organizojmë një aktivitet për ta kujtuar dhe për të qëndruar pranë familjes së tij. Riccardo ynë nuk do të harrohet kurrë.”