TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pavarësisht kërkesës për ndjesë të ushtrisë izraelite të premten, e cila pranoi se “kishte nxjerrë mësime” pas vrasjeve në qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Gaza, njerëzit që presin për ushqim vazhdojnë të vdesin.
Sipas raportimeve, numri i viktimave nga sulmet izraelite sot është rritur në 59 persona. Të paktën 31 palestinezë u vranë me armë zjarri ndërsa po shkonin drejt një qendre ndihmash në Gaza, ndërsa 28 të tjerë, përfshirë katër fëmijë, u vranë nga sulmet ajrore izraelite, sipas burimeve spitalore dhe dëshmitarëve, raportuar nga Haaretz. Kryqi i Kuq njoftoi se spitali i tij fushor ka regjistruar fluksin më të madh të viktimave në mbi një vit, dhe se shumica e mbi 100 të plagosurve kishin plagë nga armë zjarri.
Ushtria izraelite po intensifikon operacionet në të gjithë Rripin e Gazës, duke shkaktuar dhjetëra viktima, në një kohë kur negociatat në Doha për një armëpushim janë pranë kolapsit, sipas burimeve palestineze, për shkak të akuzave të ndërsjella mes Hamasit dhe Izraelit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tregoi qartë se nuk ka vullnet për ndalim të luftimeve. Në një postim në X, ai publikoi një foto të rrënojave në Gaza me mbishkrimin: “Pas Rafahut, Beit Hanoun”, qytet në veri të enklavës, tashmë nën rrethim të rëndë nga forcat izraelite.
Ushtria izraelite ka deklaruar se në 48 orët e fundit ka goditur mbi 250 objektiva “terroriste”, por sulmet po shkaktojnë gjithashtu shumë viktima mes civilëve. Sipas agjencisë palestineze Wafa, një nënë me tre fëmijët e saj u vra sot në një sulm pranë Universitetit Islamik në Gaza City. Katër gra të tjera humbën jetën dhe 10 të tjera u plagosën në një tjetër sulm pranë shkollës “Yaffa” në të njëjtin qytet.
Në Gaza qendrore, një vajzë e vogël u vra dhe disa të tjera u plagosën pranë shkollës “Al-Hassayna” në kampin e refugjatëve Nuseirat. Në Deir al-Balah, një sulm me dron shkatërroi një familje të tërë – burrë, grua dhe fëmijët e tyre – sipas burimeve lokale.
Ndërkohë, popullsia e mbijetuar po lufton për mbijetesë. 7 agjenci të OKB-së, përfshirë UNICEF, WFP dhe OBSH, kanë paralajmëruar se karburanti po mbaron, çka do të thotë asnjë shërbim shëndetësor, ujë i pijshëm apo bukë në furrat e pakta që janë ende funksionale.
OKB raportoi dje se rreth 800 njerëz janë vrarë afër zonave të ndihmave, shifër që pritet të rritet pas masakrës së sotme në Rafah. Sipas dëshmitarëve për Reuters, disa prej viktimave u qëlluan në kokë dhe gjoks. Gazetarët panë trupa të mbështjellë në çarçafë të bardhë ndërsa familjarët vajtonin në spitalin Nasser.
Ushtria izraelite pretendon se kishte qëlluar në ajër si paralajmërim, por se nuk kishte gjetur prova për të plagosur. Megjithatë, përpjekjet e Donald Trump për të bindur kryeministrin Netanyahu gjatë qëndrimit katërditor në Uashington, duket se nuk kanë dhënë rezultat: shpresa për armëpushim, që Trump e kishte paralajmëruar "brenda pak ditësh", po zbehet.
Delegacionet e Izraelit dhe Hamasit janë në Katar prej një jave, por negociatat janë në ngërç. Një burim palestinez tha se Hamas ka refuzuar hartat e tërheqjes të paraqitura nga Izraeli, që do të mbanin rreth 40% të Gazës nën kontroll izraelit, përfshirë të gjithë Rafahun dhe zona të tjera në veri dhe lindje të enklavës.
Dy burime izraelite i thanë Reuters se Hamas këmbëngul në tërheqjen e plotë të Izraelit në pozicionet që kishte gjatë armëpushimit të mëparshëm, përpara rifillimit të ofensivës në mars. Për këtë arsye, edhe një propozim katarez për një armëpushim 60-ditor me lirimin e pengjeve është refuzuar nga Hamasi.