BOTA, 23 Tetor 2025, 14:36

Sanksionet e reja, Rusia kërcënon BE-në: Përgjigje e dhimbshme nëse na sekuestrohen asetet!

Sanksionet e reja, Rusia kërcënon BE-në: Përgjigje e

Rusia reagoi për sanksionet e vendosura nga BE-ja së fundmi, duke kërcënuar për një “përgjigje të dhimbshme” ndaj çdo veprimi të Unionit, që do të përfshinte sekuestrimin e aseteve të ngrira ruse.

Paralajmërimi erdhi ndërsa udhëheqësit e BE-së u takuan në Bruksel për të diskutuar një plan për të përdorur asetet si bazë për një “kredi kompensimi” prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën.

BE miratoi edhe paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë, e mbështetur edhe nga SHBA-të.

“Çdo veprim me asetet ruse pa pëlqimin e Rusisë është i pavlefshëm nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar dhe të traktateve. Nuk ka asnjë mënyrë ligjore për të marrë fondet e dikujt tjetër pa dëmtuar xhepin dhe prestigjin e atyre që po shpronësojnë “, u tha gazetarëve zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Sipas planit të BE-së, asetet ruse nuk do të sekuestroheshin dhe Rusia do t’i mbante paratë e mbajtura në institucionin financiar belg Euroclear.

Por Zakharova tha se plani tregonte se Evropa “nuk është më një strehë e sigurt për asetet financiare”.

“Duke ia besuar fondet tuaja evropianëve perëndimorë, përfshirë Euroclear, tani rrezikoni të humbni gjithçka. Ju nxisim të mendoni dy herë para se të ndërmerrni ndonjë veprim të rrezikshëm”.