TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia mund të hapë fronte të reja lufte nëse nuk ndalet tani, duke theksuar se “paqe nuk do të ketë pa ndaluar Putinin”. Deklarata u bë të mërkurën nga qyteti Linköping në Suedi, gjatë një vizite në kompaninë suedeze të industrisë ushtarake Saab, e cila prodhon avionët luftarakë Gripen JAS 39, avionin e vëzhgimit GlobalEye, sisteme raketore dhe armë kundërtanke.
“Rusia i gënjen të gjithë duke thënë se po fiton. Por kjo nuk është e vërtetë. Kanë humbur mbi 1.3 milionë njerëz dhe ekonomia e tyre po shembet”, deklaroi Zelensky.
Gjatë vizitës së tij, Suedia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje afatgjatë bashkëpunimi për mbrojtjen ajrore, që mund të çojë në furnizimin e Ukrainës me deri në 150 avionë Gripen, një marrëveshje që do të ishte eksporti më i madh i avionëve në historinë e Suedisë.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson u shpreh se që nga sot, Suedia angazhohet të shqyrtojë të gjitha mundësitë për të ndihmuar Ukrainën me avionë luftarakë, ndërsa shtoi se prodhimi dhe dorëzimi i parë mund të nisë brenda tre viteve.
Zelensky: Gripen janë prioritet për ushtrinë ukrainase
Presidenti ukrainas deklaroi se Kievi ka nisur procesin për sigurimin e avionëve suedezë dhe pret që marrëveshja të lejojë blerjen e të paktën 100 Gripen.
“Për ushtrinë tonë, Gripen janë prioritet. Ka të bëjë me financat, por edhe me fleksibilitetin,” tha ai.
Pilotë ukrainas janë dërguar tashmë në Suedi për të testuar avionët, ndërsa alternativa suedeze shihet si më e qëndrueshme dhe më e lirë krahasuar me avionë si F-35 amerikan.
Deri më tani, Ukraina është fokusuar në integrimin e avionëve F-16, që ka filluar të marrë nga SHBA-të në gusht, por interesimi për Gripen mbetet i lartë për shkak të performancës dhe kostos më të ulët.
Aktualisht, Saab ka ndërtuar rreth 280 Gripen, ndërsa ka plane për të prodhuar 20-30 avionë në vit, falë zgjerimit të kapaciteteve në Linköping dhe prodhimit paralel në Brazil. Ndërkohë, Suedia ka porositur 60 avionë të modelit më të ri Gripen E.
Para se të mbërrinte në Suedi, Zelensky qëndroi për pak kohë në Oslo, ku qeveria norvegjeze njoftoi një ndihmë prej 149 milionë dollarësh për blerjen e gazit natyror nga Ukraina, për të garantuar energji elektrike dhe ngrohje gjatë dimrit.