TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se vetë ai do të vendosë nëse qeveria e tij duhet t’i paguajë dëmshpërblim, lidhur me hetimet federale të së kaluarës ndaj tij.
Duke folur para gazetarëve të martën, Trump tha:
“Është interesante, sepse unë jam ai që merr vendimin, apo jo?”, duke iu referuar një kërkese për kompensim prej rreth 230 milionë dollarësh, për hetimet e FBI-së në resortin e tij Mar-a-Lago dhe për hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës.
“Po padis veten,” tha ai me ironi, duke shtuar se nuk është i sigurt si të trajtojë situatën. Ai madje la të kuptohet se, nëse fiton ndonjë shumë, mund t’i dhurojë ose t’i përdorë për të ndërtuar sallën e re të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë, e cila po ngjall polemika.
Sipas ligjit federal të vitit 1946, qytetarët amerikanë kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria për veprime të paligjshme të zyrtarëve publikë. Por ky ligj përjashton qartë rastet që lidhen me veprime politike, çka do të përjashtonte edhe pretendimet e Trump për hetime ndaj sjelljes së tij si zyrtar i zgjedhur.
Guardian e përshkroi situatën si “absurde”: Trump si president do të vendosë nëse Trump si qytetar duhet të marrë para nga taksapaguesit për hetimet ndaj Trump si i dyshuar.
Zakonisht, këto raste trajtohen nga zyrtarë civilë të Departamentit të Drejtësisë, të cilët qëndrojnë larg ndikimeve politike. Por aktualisht, aleatë të Trump kanë pozicione kyçe në këtë departament, çka ka ngritur shqetësime për ndërhyrje politike në këtë proces.
Deri më sot, asnjë president në detyrë nuk ka kërkuar ndonjëherë kompensim financiar nga qeveria federale.