BOTA, 21 Korrik 2023, 22:48

Rusia simulon asgjësimin e anijeve të huaja në zonat e kufizuara

Rusia simulon asgjësimin e anijeve të huaja në zonat e kufizuara

Marina ruse zhvilloi stërvitje në detin e Zi për të praktikuar ndalimin dhe shkatërrimin e anijeve në zonat e kufizuara për lundrim. Stërvitja u krye pak ditë pasi Moska deklaroi se çdo mjet që do të vijë apo do të dalë nga portet ukrainase do të konsiderohet objektiv ushtarak.

Lëvizja në fjalë u prezantua si një përgjigje ndaj sulmeve ndaj urës së Krimesë, që sipas autoriteteve ruse u kryen nga dronë nënujorë.

Kërcënimet për të vendosur bllokadën erdhën gjithashtu në përfundim të afatit të marrëveshjes së grurit, në kuadër të të cilës ishte lejuar kalimi i mjeteve lundruese.


Nga ana e saj, pala ukrainase ka deklaruar se do të vazhdojë eksportet përmes detit pavarësisht kërcënimeve ruse dhe ka kërkuar patrullim ndërkombëtar në detin e Zi.

Ndërkohë, në një reagim të fundit, presidenti turk Erdogan ka deklaruar se do të bisedojë me homologun rus Putin për akordin e grurit, duke shprehur bindjen se do të garantohet vazhdimi i tij.