BOTA, 4 Mars 2022, 22:53

Rusët i frikësohen Putinit, arratisen drejt Finlandës

Rusët i frikësohen Putinit, arratisen drejt Finlandës

Në Vaalimaa, një zonë në kufi të Finlandës me Rusinë rreth 193 kilometra larg Helsinkit, ndalojnë shumë autobusë dhe makina për kontrollin doganor dhe të pasaportave.

Këta persona nuk janë ukrainas, por rusë dhe siç shkruan BBC pavarësisht se numri i të larguarve nuk është shumë i madh, është i vazhdueshëm.

Rusët janë në ankth dhe po kërkojnë që të largohen nga vendi sepse kohët e fundit është përfolur vazhdimisht që qeveria e Vladimir Putin shumë shpejt do të shpallë ligjin e luftës për të përballuar demonstratat kundër pushtimit në Ukrainë.

BBC foli me një vajzë të re ruse, e cila tha se është e dëshpëruar për atë që po ndodhte. “Njerëzit në Ukrainë janë njerëzit tanë, familja jonë. Nuk duhet t‘i vrasim ata”, ka thënë ajo.

Armiqësitë e Rusisë ndaj Ukrainës kanë bërë që Finlanda të ndryshojë qëndrim ndaj neutralitetit. Sipas sondazheve më të fundit shumica e finlandezëve besojnë se është koha që vendi i tyre të bashkohet në NATO për të marrë mbrojtjen që të ofron anëtarësimi në aleancë.