BOTA, 28 Nëntor 2023, 22:16

OBSH: Sëmundjet mund të vrasin më shumë njerëz sesa bombardimet në Gazë

OBSH: Sëmundjet mund të vrasin më shumë njerëz sesa

Sëmundjet e pashërueshme mund të vrasin më shumë njerëz në Rripin e Gazës sesa bombardimet, nëse nuk rregullohet sistemi i shëndetësisë, paralajmëroi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Diarreja dhe infeksionet e frymëmarrjes janë shumë të përhapura në mesin e fëmijëve në ndërtesat e mbipopulluara të Kombeve të Bashkuara, ku pothuajse 1.1 milion njerëz janë duke u strehuar, shkruan REL.

Ky paralajmërim u bë në ditën e pestë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – pasi të hënën palët u pajtuan për zgjatjen e tij për edhe dy ditë të tjera.

Marrëveshja e arritur të premten me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara, ka mundësuar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite gjatë këtyre pesë ditëve.

Të martën, 12 pengje dhe 30 të burgosur u liruan në ditën e pestë të marrëveshjes, duke e çuar në 62 numrin e përgjithshëm të pengjeve të liruara dhe në 180 të të burgosurve të liruar.