BOTA, 22 Shtator 2025, 15:42

Të paktën 23 civilë të vrarë nga bombardimet ajrore në zonën kufitare të Pakistanit! Akuza ndaj ushtrisë për sulme vdekjeprurëse

Të paktën 23 civilë të vrarë nga bombardimet ajrore

Të paktën 23 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve ajrore në një zonë të izoluar kufitare në Pakistan, raportojnë burime nga policia dhe forcat e sigurisë.

Sipas një zyrtari të lartë të policisë lokale, i cili kërkoi të mbetet anonim, katër shtëpi u goditën dhe u shkatërruan plotësisht gjatë sulmit. Identiteti i autorëve të bombardimeve ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Një përfaqësues i opozitës, Iqbal Afridi, akuzoi ushtrinë pakistaneze për ndërmarrjen e këtij sulmi gjatë një operacioni antiterrorist në zonën malore të rrethit Khyber, pranë kufirit me Afganistanin. Megjithatë, as qeveria dhe as ushtria nuk kanë lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare për ngjarjen.

“Ishin forcat e sigurisë që kryen bombardimet ajrore. Ato vranë 23 persona të pafajshëm,” deklaroi Afridi për agjencinë France-Presse (AFP), duke kërkuar hetime dhe transparencë.

Një tjetër zyrtar policie në qytetin e afërt Tirah, konfirmoi për AFP se 7 gra dhe 4 fëmijë janë mes viktimave. Ai nuk specifikoi kush është përgjegjës për sulmin, por theksoi se rajoni ku ndodhi ngjarja njihet si zonë me prezencë të fortë të Talibanëve të Pakistanit (TTP).

Pas lajmit për sulmin, rreth 2.000 persona u mblodhën në një qytet fqinj për të protestuar kundër asaj që e cilësojnë si një masakër ndaj civilëve.

Organizata Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP), e cila vepron në këtë rajon, është një grup islamist i armatosur që ndjek të njëjtën ideologji me Talibanët afganë, dhe ka intensifikuar sulmet ndaj forcave të sigurisë pakistaneze muajt e fundit, veçanërisht në zonat malore dhe kufitare.