BOTA, 21 Shtator 2025, 19:27

“Shtet palestinez nuk do të ketë”/ Netanyahu kundërshton ashpër njohjen nga Britania, Australia e Kanadaja: Shpërblim i madh për terrorizmin!

“Shtet palestinez nuk do të ketë”/ Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, reagoi me tone të ashpra ndaj vendimit të Britanisë, Kanadasë dhe Australisë për të njohur shtetin palestinez, duke e cilësuar këtë hap si një “shpërblim të madh për terrorizmin”.

Deklarata e tij u bë sot dhe përbën qëndrimin e parë zyrtar pas nismës së tre vendeve.

“Kam një mesazh të qartë për liderët që njohin shtetin palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit: po i jepni një shpërblim të madh terrorizmit. Dhe kam edhe një mesazh tjetër për ju: kjo nuk do të ndodhë. Nuk do të themelohet shtet palestinez në perëndim të lumit Jordan.”, theksoi Netanyahu në deklaratën e tij.

Sipas kryeministrit izraelit, përgjigjja zyrtare e qeverisë do të jepet pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump.

Ai gjithashtu theksoi se politika e Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor do të vazhdojë pa asnjë ndryshim.

“Nuk do të themelohet shtet palestinez. Përgjigjja ndaj përpjekjes së fundit për të imponuar një shtet terrori në zemër të tokës sonë do të jepet pas kthimit tim nga SHBA. Kam një mesazh të qartë për liderët që njohin shtetin palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit: po i jepni një shpërblim të madh terrorizmit. Dhe kam edhe një mesazh tjetër për ju: kjo nuk do të ndodhë. Nuk do të themelohet shtet palestinez në perëndim të lumit Jordan.


Prej vitesh kam penguar krijimin e këtij shteti terrori, pavarësisht presioneve të mëdha nga brenda dhe jashtë. E kemi bërë këtë me vendosmëri dhe mençuri politike. Për më tepër, kemi dyfishuar vendbanimet hebraike në Jude dhe Samari dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim. Përgjigjja ndaj përpjekjes së fundit për të imponuar një shtet terrori në zemër të tokës sonë do të jepet pas kthimit tim nga SHBA. Prisni”, deklaroi ai.