BOTA, 26 Prill 2025, 21:49

Një shpatë e Napoleonit del në ankand në Paris, çmimi i pabesueshëm me të cilin mund të shitet

Një shpatë e Napoleonit del në ankand në Paris, çmimi

Një shpatë që i përkiste Napoleon Bonapartit, e porositur për përdorim personal në vitin 1802 dhe e përdorur gjatë mbretërimit të tij, do të jetë në qendër të një ankandi më 22 maj në Paris.

Sipas shtëpisë së ankandeve "Giquello", vlera e saj pritet të shkojë nga 700 000 deri në një milion euro.

Në një njoftim për shtyp, "Hôtel Drouot", ku do të zhvillohet ankandi, shpjegoi se "Bonaparti, atëherë Konsull i Parë, e kishte porositur këtë shpatë midis viteve 1802 dhe 1803 nga Nicolas-Noël Boutet, drejtor i fabrikës së armëve në Versajë."

Pasi u shpall Perandor, Napoleoni vazhdoi ta mbante këtë shpatë deri në fund të mbretërimit të tij, përpara se t'ia dhuronte Emmanuel de Grouchyt, një prej ndjekësve të tij më besnikë, të cilin më vonë e emëroi marshall të Perandorisë.

Shpata është ruajtur nga pasardhësit e Grouchyt që nga viti 1815 dhe do të dalë për herë të parë në shitje publike.

Një kopje identike e kësaj shpate ruhet sot në muzeun "Hermitage" në Shën Petërburg.

Ankandet e lidhura me Napoleonin po përjetojnë një periudhë lulëzimi, më shumë se dy shekuj pas vdekjes së tij në mërgim në vitin 1821, në moshën 51-vjeçare. Në mars, një kopje personale e Kodit Civil që i përkiste Napoleonit u shit për 395 000 euro.